Shtyhet përsëri afati për përfundimin e objektit të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës, 2027 afati i ri

Edhe pse gjatë muajit gusht të vitit 2022 Ministria e Kulturës paralajmëroi se afati për përfundimin e objektit të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës shtyhej nga viti 2025 në vitin 2026. Sot nga po kjo Ministri për Portalb.mk thonë se afati shtyhet edhe për një vit tjetër, pra ky objekt, nëse afatet nuk do të shtyhen përsëri pritet të lëshohet në përdorim në vitin 2027.

Objekti i ri i Teatrit të Tetovës premtohet 12 vitendërtohet 9 vite dhe sipas parashikimeve që ende nuk dihet nëse do të realizohen duke pasur parasysh faktin që shpesh ka zvarritje të punëve, do të jetë gati për 5 vite të tjera. Nëse vërtetë realizohet siç thuhet, ky objekt thellësisht i rëndësishëm për kulturën tetovare, do të ketë dyert hapur 17 vite pas premtimit të dhënë.

Biblioteka edhe Teatri i Tetovës funksionojnë në hapësira të Pallatit të Kulturës, të cilat nuk është se ju ofrojnë kushtet më të mira të punës. Për këtë ata për vite me radhë shprehin pakënaqësitë e tyre e shpesh edhe dëshpërim pasi punimet për këtë objekt zvarriten për vite me radhë.

Politika duket se nuk shqetësohet për librin, edhe pse qartësisht dija është rruga e vetme për një shoqëri më të mirë e më të zhvilluar”, kështu thotë bibliotekistja e lartë në Bibliotekën e Tetovës, Gjylten Ajruli duke theksuar se ky objekt pritet të zgjidh problemin shumë-vjeçar të tyre ku funksionojnë në hapësirë shumë të vogël.

Kriza e leximit sipas saj në Tetovë dhe te të rinjtë e këtij qyteti, lidhet me shumë faktorë të cilët ndikojnë në këtë “zbehje” të dëshirës për të lexuar, mes të cilave edhe hapësirat adekuate. Por përsëri, kjo bibliotekë sipas saj është ndër të parat me numër të lexuesve në vend.

“Të rinjve rrethi ku ata veprojnë dhe funksionojnë nuk ju ofron asgjë. Biblioteka e Tetovës është e vetmja strehë ku ata kërkojnë zgjidhje për materialet e tyre që kanë nevojë. Por, sa kjo Bibliotekë mund të ua plotësojë nevojat dhe kërkesat e tyre? Shumë pak në krahasim me atë sa duhet dhe mundet, sepse ky institucion, që është një ndër institucionet më të rëndësishme kulturore, vepron dhe funksionon në vetëm 200 metra katrorë. Kjo hapësirë tej mase e vogël, që as minimalisht nuk i plotëson standardet që i kërkon funksionimi i një biblioteke, nuk e pengon që e njëjta të ketë numër më të madh lexuesish e të radhitet si ndër të parat në RMV”, theksoi Ajruli.

Ajo nënvizon se ndërtimi i objektit të ri për Bibliotekën dhe Teatrin e Tetovës, që nga viti 2014, atëherë kur edhe u vu gurhemeli i së njëjtës, ende mbetet një projekt i parealizuar.

“Mungesa e një leximoreje, e hapësirave multimediatike, vendeve të posaçme ku do të mund të zhvilloheshin aktivitete të shumta me qëllim të nxitjes së të rinjve për lexim, dukshëm ndikojnë në funksionimin e mirëfilltë të bibliotekës”, tha Ajruli.

Përveç se nevojë e Bibliotekës, objekti është nevojë urgjente edhe e Teatrit të Tetovës, për të cilin aktorët dhe nga ky Teatër disa herë tani më kanë sqaruar se mungesa e një objekti ndikon në punën dhe kufizimin e aktiviteteve të tyre.

Drejtori i Pallatit të Kulturës, Arlind Huseini për sa i përket ndërtimit të objektit të ri i Teatrit dhe Bibliotekës në Tetovë, thekson se rrjedh sipas dinamikës e cila është paraparë sipas dokumentacionit të furnizimit publik nga ana e realizuesit të punës për fazën e dytë.

“Punohet në hapësirat e brendshme, me përkushtim të plotë ku janë përfshi të gjitha pozicionet. Punohet njëkohësisht në fazën e makinerisë, elektrikës, arkitekturës e të tjera. Deri më tani sipas planit dinamik për punë për aq sa kemi realizuar jemi të bindur se do t’u përmbahemi të gjitha afateve të parapara me kontratën”, thekson Huseini.

Sipas tij, deri në dhjetor 2025 duhet te mbaroj faza e dytë, ndërsa në vitin 2026 duhet të kryhen pagesat ndaj firmës qe po e punon fazën e dyte.

“Deri tani pa ndërprerë dhe pa asnjë problem kanë shkuar punët dhe me shprese te madhe qe do shkoj ne këtë rritem edhe tutje”, theksoi Huseini.

Megjithatë, Ministria e Kulturës për Poralb.mk bën të ditur se përsëri shtyhet afati për përfundimin dhe vënien në funksion të këtij objekti. Sipas Ministrisë, në vend se në vitin 2026 siç u njoftua muaj më parë, objekti do lëshohet në përdorim vitin 2027.

“Kohëzgjatja e ndërtimit të objektit parashikohet nga dinamika e pëlqimit të dhënë për prokurim publik shumëvjeçar me afat deri në vitin 2026 dhe pas të cilit është dhënë kontrata me kohëzgjatje deri në vitin 2026. Sipas konkluzionit të fundit të Qeverisë, me qëllim për të siguruar burimet financiare, duke marrë parasysh implikimet fiskale, miratimi dhe rrjedhimisht dinamika e performancës duhet të zgjatet deri në vitin 2027. Objekti është ndërtuar deri në fazën e karabinës së mbyllur me fasadë. Në vijim e sipër është kryerja e punimeve ndërtimore, artizanale dhe instalimeve. Sipas kontratës dhe sipas paralajmërimit të vazhdimit të dinamikës, objekti pritet të përfundojë përfundimisht dhe të vihet në përdorim në vitin 2027”, thanë nga Ministria e Kulturës.

Para disa javësh nga Enti Shtetëror i Statistikave u bë e ditur se Teatri i Tetovës ishte teatri më i frekuentuar nga publiku për sezonin teatror 2021/2022. I vetmi teatër profesional i Maqedonisë së Veriut që kishte frekuentim mesatar prej më shumë se 200 spektatorësh ishte Teatri i Tetovës, ku mesatarisht kishte 204 shikues për shfaqje. Megjithatë, kjo përsëri nuk është faktor për të motivuar institucionet të intensifikojnë punimet që ky objekt të përfundojë sa më shpejtë, por përkundrazi punimet vazhdimisht zgjaten.

Ndërtimi i Qendrës për Kulturë në Tetovë ishte premtuar që më 6 tetor të vitit 2010, kur ministrja e atëhershme e Kulturës, Elizabeta Kançeska-Milevska e prezantoi zgjidhjen ideore për pamjen e teatrit multifunksional, që duhet të ofrojë teatër, kinema dhe bibliotekë. Gurë-themeli për ndërtimin e këtij objekti u hodh më 28 nëntor të vitit 2014. Punimet janë zhvilluar shumë ngadalë dhe me shumë probleme të cilat Portalb i ka dokumentuar ndër vite.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button