Qyteti i Shkupit ngriti padi penale ndaj çimentores “Titan Usje”

Qyteti i Shkupit sot ka dorëzuar padinë e paralajmëruar penale kundër çimentores “Titan Usje”, në të cilën përgjegjësi përveç juridike kërkohet edhe nga personi përgjegjës – Boris Hrisafov, i cili si kompetent për zbatimin e detyrimet që dalin nga leja e integruar A e lëshuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, nuk u lshtë përmbajtur detyrimeve të njëjta në lidhje me kufijtë maksimalë të lejueshëm të emetimit të gazrave të dëmshëm në ajrin e ambientit, transmeton Portalb.mk.

Përndryshe, fabrika e çimentos “Titan Usje” gjatë matjeve të kryera më 3 dhe 4 janar ka lëshuar përqendrim dukshëm më të lartë të grimcave PM10 nga kaldaja për ngrohje që punonin me mazut, në vend të gazit natyror. Përkatësisht, në vend të maksimumit të lejuar prej 50 mikrogramë/m3, nga oxhaku lëshoheshin 121 mikrogramë/m3 çdo orë.

Është vërejtur gjithashtu rritje e emetimit të oksideve të azotit me të paktën dy herë, pra në vend të 350 mg/m3 të lejuar, çdo orë emetohen 711 mg/m3.

Procesi i prodhimit të çimentores “Titan Usje” është i pandërprerë dhe zhvillohet çdo orë të çdo dite gjatë gjithë vitit.

Për shkak të këtyre veprimeve, sot është parashtruar kallëzim penal kundër fabrikës së çimentos “Titan Usje” dhe personit përgjegjës Boris Hrisafov, me iniciativë të kryetares së qytetit të Shkupit Danela Arsovska, nga neni 234 i Kodit Penal “Vepra të rënda kundër mjedisit dhe natyrës” në lidhje me nenin 218 të të njëjtit ligj me titull “Ndotja e mjedisit dhe e natyrës”. Për këto vepra parashikohet dënim me burg.

“I bëjmë thirrje Prokurorisë Themelore Publike në Shkup që të hetojë thellësisht pretendimet dhe të veprojë në përputhje me rrethanat. Është e papranueshme që qytetarët e qytetit të Shkupit të jenë viktima të fitimeve të disave që na helmojnë me dekada dhe të cilët nuk guxojnë të amnistohen nga përgjegjësia për ndotjen e mjedisit nga e cila vuajnë mijëra qytetarë nga sëmundje të shumta”, thonë nga Qyteti i Shkupit.

Ndryshe, më 21 gusht, shpërtheu zjarr në rrethin e Çimentores Usje në Kisella Vodë të Shkupit. Sipas Njësitit Territorial Kundër Zjarrit – Shkup, zjarri sipas të gjitha gjasave është shkaktuar nga defekti i instalimit elektrik.

Rikujtojmë që seanca e jashtëzakonshme e Këshillit të Qytetit të Shkupit, në të cilën duhej të diskutohej për rekomandimet kundër ndotjes së ajrit, iniciuar nga grupi i këshilltarëve të LSDM-së, nuk do të mbahet. Këtë e ka bërë të ditur sot kryetari i Këshillit, Trajko Sllaveski, i cili përmes një komunikate me shkrim të dërguar nga partia e tij amë VMRO-DPMNE ka bërë të ditur se nuk është mbledhur numri i mjaftueshëm i nënshkrimeve për mbajtjen e seancës.

Për dallim prej ditëve të kaluara, sot Shkupi u rendit në vendin e 53-të sipas listës së qyteteve më të ndotura në botë. Kjo do të thotë përmirësim i situatës për dallim prej disa ditëve, kur kryeqyteti me ditë ishte në top-dhjetëshen, ose në top-pesë qytetet më të ndotura. Mirëpo, kjo me shumë gjasa ka ardhur vetëm për shkak të reshjeve të shiut, i cili ka pastruar pak ajrin e Shkupit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button