Ali Ahmeti me porosi për “Grupin e Zjarrit”: Nuk e heq Artan Grubin

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti mbrëmë në takim me bashkëpartiakët në Gostivar, u dërgoi porosi funksionarëve të pakënaqur të BDI-së, apo të ashtuquajturit “Grupi i Zjarrit” se nuk do ta largojë nga pozita zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi, pasi siç deklaroi, për atë ka vendosur shumica në parti, njofton Portalb.mk.

Ahmeti para të pranishmëve, tha se u ka thënë “Grupit të Zjarrit” se gabojnë dhe se nuk u është bërë atyre padrejtësi.

“Çka të them o vëlla, keq nuk kanë hequr ata shokët e mi, mirë e kanë pasur punën. Ata gabojnë, dhe u kam thënë edhe atyre, i kam lutur dy vjet, njeriu duhet ta mendojë fundin e jo fillimin, sepse fundi mbahet mend. Mirëpo shpresoj që të reflektojnë, shpresoj që të mendojnë më thellë. Bashkimi Demokratik për Integrim është aset kombëtar. Unë nuk mund të bëj shtëpi të Nastradinit kush si kërkon, 10 vjet kanë kërkuar ta heq Musa Xhaferin prej zëvendëskryeministrit, por s’e kam hequr sepse e respektoja vullnetin e shumicës. Abdylaqimin me insistim kërkonin ta heq prej zëvendëskryeministër, por unë s’e kam hequr se kam respektuar vullnetin e shumicës. Tani janë çuar peshë hiqe Artan Grubin, por nuk e heq sepse është vendim i shumicës – ka vendosur Këshilli i Përgjithshëm”, tha Ahmeti.

Ai shtoi se funksionarët e pakënaqur nuk kanë hequr keq pasi që tërë jetën kanë pasur funksione.

Kujtojmë, më 24 shtator në një letër të shpalosur publikisht nga disa anëtarë të BDI-së, janë numëruar disa ankesa e këshilla për drejtimin e partisë në vitet e fundit. Ata theksojnë që gjithë pushteti politik është përqendruar tek individi, duke anashkaluar strukturat partiake.

Nëpërmjet një konference për shtyp të mbajtur më 27 dhjetor, funksionarët e pakënaqur të BDI-së deklaruan se nga 19 premtime zgjedhore, vetëm dy janë realizuar tërësisht – “zëvendëskryeministri shqiptar dhe negociuesi shqiptar për BE dhe NATO”, ndërsa pjesërisht janë përmbushur pesë. Kjo, sipas Izet Mexhitit, do të thotë se BDI tërësisht i ka realizuar vetëm 1,2 përqind të premtimeve, 2,9 përqind janë realizuar pjesërisht, 95,9 përqind nuk janë realizuar. Lidhur me projektet infrastrukturore, siç potencoi, për dy vjet prej 520 milionë eurosh vetëm 11 milionë euro janë investuar për “pesë projekte shqiptare, në mesin e të cilave aksi Kërçovë – Dibër”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button