Edhe Qeveria e ka lënë Sallën Universale të kalbet, asgjë nga njoftimi se do t’ia heqë ingerencat Arsovskës

Salla Universale, simboli i Shkupit, ka një vit e gjysmë që po kalbet, qëndron e hapur dhe e rrënuar. Nuk po kryhet asnjë punë ndërtimore dhe as autoritetet nuk kanë ndërmend të ndërtojnë dhe ta kthejnë në funksion, shkruan Sdk, transmeton Portalb.mk.

Për kryetaren Danela Arsovska sikur nuk ekziston Salla Universale, nuk planifikon ta ndërtojë, nuk u përgjigjet pyetjeve gazetareske për këtë temë, madje as kur e solli buxhetin për vitin 2023 nuk tha se ky projekt do të jetë një nga ato për të cilët do të punohet këtë vit.

Edhe Qeveria e cila njoftoi se do t’ia marrë Arsovskës sallën e koncerteve dhe do ta ndërtojë përmes Ministrisë së Kulturës, e la të kalbet. Kanë kaluar dy muaj nga ky njoftim dhe nga takimi i ministres së kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska dhe ministrit të vetëqeverisjes lokale Risto Penov me Arsovskën, por nuk ka asnjë ndryshim. Salla Universale është e harruar nga të gjithë dhe askujt nuk i intereson.

Ministrja Kostadinovska-Stojçevska më 23 dhjetor gjatë prezantimit të buxhetit të Ministrisë së Kulturës, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, tha se është duke pritur që Arsovska t’i japë informacione, por se ajo nuk e ka bërë.

“Pasi që unë dhe ministri Penov patëm takim me kryetaren Arsovska, i dërguam kërkesë kryetares për informim për gjendjen me Sallën Universale, se a ka fare lëvizje dhe aktivitete atje. Por deri më tani nuk kemi marrë asnjë reagim. Qyteti i Shkupit është përzgjedhur për çmimin Kryeqytet i Kulturës Evropiane për vitin 2028 dhe është Salla Universale ajo që paraqitet si aplikues për atë konkurs. Po apeloj, dhe pas festave do të inicioj një takim të ri me kryetaren Arsovska, sepse duhet të punojmë së bashku me Qytetin e Shkupit, Ministrinë e Kulturës dhe Qeverinë për atë aplikacion, në atë program sepse është me interes kombëtar”, tha ministrja Kostadinovska-Stojçevska.

Nga kjo deklaratë e ministres ka kaluar thuajse një muaj, kanë kaluar festat dhe ende nuk ka mbledhje dhe as që punon dikush për marrjen e ingerencave për Sallën Universale dhe ndërtimin e saj.

Salla Universale është e mbyllur prej 7 vitesh. Punimet ndërtimore për rindërtim kanë filluar në shtator të vitit 2021 në mandatin e ish-kryetarit Petre Shilegov. Sipas projektit, salla do të ndërtohej në dy faza, fillimisht ajo e jashtme, për të cilën Qeveria siguroi rreth 2 milionë euro dhe u transferuan në llogarinë e dedikuar të Qytetit të Shkupit. Pas përfundimit të pjesës së jashtme, do të kalohej në fazën e dytë, të brendshme. Sipas njoftimeve, faza e parë parashikohej të ishte gati në fund të vitit 2022.

Megjithatë, pas marrjes së detyrës nga Arsovska, punimet ndërtimore u ndërprenë. Kryetarja akuzoi kryesinë e kaluar të qytetit se fajin e ka që nuk po ndërtohet salla e koncerteve sepse kanë bërë një projekt të pasigurt. Arsovska për këtë temë qortoi Asociacionin e Arkitektëve të Maqedonisë (AAM), planifikuesit dhe ministren e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska, në konferencën për shtyp të thirrur nga Ministria e Kulturës shkurtin e kaluar për gjetjen e zgjidhjes së përbashkët dhe marrëveshjes për bashkëpunim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button