Paraburgim për komandantin dhe dy policët, heshtje nëse do të ketë shkarkim të drejtorit të “Idrizovës”
Komandantit të burgut të Idrizovës, Srgjan Dimitrievski, në ndërrimin e së cilit u arratis i burgosuri Bekim Memeti, i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tetë ditësh dhe është dërguar në burgun e Shutkës, shkruan A1on, transmeton Portalb.mk.
Përpos tij, masa e paraburgimit i është caktuar edhe dy prej katër policëve. Mëngjesin e sotëm ata janë dërguar në burg.
Gjykata Penale vlerëson se, komandanti dhe policët mund të arratisën, pasi ka indicie se i kanë ndihmuar të burgosurit Bekim Memeti që të arratiset, duke pasur parasysh se ka një sërë lëshimesh në procedurën e shoqërimit të tij.
Komandanti dhe policët u mbajtën në stacionin policor tërë ditën, pas çka, u morën në pyetje në Prokurorinë për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ku ka repart policor për ndjekje të personave me kompetenca policore. Prokurorja Lile Stefanova ka dorëzuar propozim për caktimin e paraburgimit, i cili është pranuar. Njëri nga policët edhe më tej është në mjekim, ndërsa ai është shoferi ndaj të cilit i burgosuri ka gjuajtur parase të arratiset.
Nga Drejtoria e ekzekutimit të sanksioneve nuk janë përgjigjur nëse do të propozohet shkarkimi i drejtorit të burgut të Idrizovës, Shpend Tahiri për arratisjen, por edhe skandalet e tjera në lidhje me këtë burg në periudhën e fundit.
Kujtojmë se, një pjesëtar i policisë së burgjeve nga INP “Idrizovë” ka mbetur i plagosur në një incident që ka ndodhur të enjten pas mesnatës, kur sipas informacioneve të MPB-së, një i burgosur i cili po transportohej me furgon të burgut për ndihmë mjekësore në spital e qëlloi atë. I burgosuri nga INP “Idrizovë” ka shtënë në drejtim të një polici të burgut, e ka plagosur dhe ka ikur me veturë tjetër para mesnatës së mbrëmshme, derisa ishte duke u dërguar në spital.
Përndryshe, 36 vjeçari Memeti është i dënuar me gjithsej 21 vjet burgim, nga të cilët 19 për vrasje dhe 2 për prodhim dhe tregtim të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekursorëve. Ai e vuan dënimin që nga 28 dhjetori 2020, ndërsa i përfundon më 17 prill 2040.
LEXO: Komandanti dhe katër oficerët e burgut që iku i burgosuri Bekim Memeti janë pezulluar nga puna
LEXO: MPB me detaje për arratisjen e të burgosurit në Idrizovë, do të kërkohet me urdhër-arrest qendror