RMV, funksionarët me pasuri sekrete të paprekshëm, ligji për prejardhjen e pronës akoma nuk ka kaluar në Qeveri
Funksionarët do të vazhdojnë të kenë hapësirë më të madhe për ta fshehur pasurinë edhe për një periudhë të pacaktuar, pasi ligji për prejardhjen e pronës, nuk ka kaluar as në Qeveri dhe ende ndodhet në fazën e finalizimit të zgjidhjeve nga propozim-versioni i fundit. Para një viti e katër muajsh, përkatësisht në nëntor të vitit 2021 u tha se propozimi i këtij ligji ishte dërguar në Komisionin e Venecias, pas çka, po atë muaj, do të duhej të shqyrtohej nga ekspertët vendas. Kjo procedurë në fakt, ende nuk ka përfunduar as sot e kësaj dite dhe madje pas kësaj, përsëri duhet të dërgohet në Komisionin e Venecias, ku u dërgua edhe në fund të vitit 2021, shkruan Portalb.mk.
Të pyetur nga Portalb.mk se pse është vonuar miratimi i këtij ligji, nga Qeveria arsyetohen duke thënë se duan që ligji të jetë i saktë pa kontradikta dhe i zbatueshëm.
“Përgatitja e Ligjit për prejardhjen e pronës i koordinuar nga Kabineti i zëvendëskryeministrit përgjegjës për politikat e qeverisjes së mirë në bashkëpunim me Këshillin e Evropës është në fazën e finalizimit të zgjidhjeve që mungonin në draft-versionin e fundit, për të cilin në mesin e muajit nëntor organizuam takimin e grupit të punës me ekspertë ndërkombëtarë dhe vendas. Është e rëndësishme që zgjidhjet në ligj të jenë të sakta, pa ekuivoke, të mos ketë mbivendosje apo kontradikta me zgjidhjet ligjore ekzistuese. Rregullativa e re ligjore duhet të jetë e zbatueshme për të pasur efekte të mëdha në luftën kundër korrupsionit”, thonë nga Qeveria.
Nga Qeveria shtuan se më momentin kur ligji të jetë në draft-versionin e harmonizuar do të ndahet me publikun.
“Projektligji sigurisht që do t’i kalojë për mendim Komisionit të Venecias”, theksohet në përgjigjen e Qeverisë.
Në shtator të vitit 2021, Qeveria e RMV-së nisi një fushatë mbarëkombëtare për rritjen e ndërgjegjësimit dhe mbështetjen e luftës kundër korrupsionit.
Qeveria dhe tashmë ish-zëvendëskryeministri i saj përgjegjës për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, Nikollovski paraqiti projekt-ligjin e ri sipas të cilit kushdo që nuk arrin të provojë origjinën e pronës së blerë vitin e kaluar me vlerë më shumë se 30.000 euro do të përballet me konfiskimin e së njëjtës.
Çka përmban ligji dhe cili është mendimi i Antikorrupsionit?
Ndërkohë, nga Komisioni për Antikorrupsion, para një viti e katër muajsh për Portalb.mk tha se ende pa filluar aktivitetet për përgatitjen e ligjit, ky institucion ka theksuar nevojën e një zgjidhjeje ligjore, me të cilën mund të kërkohej dëshmi për mënyrën e prejardhjes së pronës, me të cilën çdo qytetar do të duhet të dëshmojë se nga vjen prona e tij/saj, në bazë të asaj që ka fituar, a është trashëgimi, a e ka blerë apo dikush ia ka dhënë.
“Qëllimi i ligjit është mbrojtja e interesit publik nga të gjitha llojet e përvetësimit dhe disponimit me pronë, prejardhja e të cilave nuk mund të dëshmohet dhe mbrojtja e pasurisë së fituar ligjërisht. Në ligj janë rregulluar mënyra dhe procedura për identifikimin dhe përcaktimin e pasurisë me prejardhje të panjohur, organet që do t’i zbatojnë procedurat dhe si do të veprohet më tej me atë pronë. Ligji parashikon që organet kompetente do të veprojnë kur rritja e pronës, prejardhja e së cilës nuk mund të vërtetohet i kalon 30.000 euro, për një periudhë njëvjeçare, duke krahasuar të hyrat e ligjshme të personit dhe pasurinë që ka fituar në periudhën e caktuar. KShPK është e qëndrimit se nuk duhet të ketë prag për veprim, por duhet të veprohet në çdo rast kur ka rritje të pasurisë mbi shumën totale të të ardhurave të fituara me ligj, pavarësisht diferencës së konstatuar”, deklarojnë nga KShPK-ja.
Në ligj, gjithmonë sipas versionit fillestar (versioni i fundit mund edhe të ketë ndryshuar), Drejtoria e policisë financiare është përcaktuar si organi kompetent për mbledhjen e të dhënave dhe informacioneve për prejardhjen e pronës, e cila do të veprojë pas marrjes së njoftimit/iniciativës nga çdo person juridik apo fizik, pavarësisht nëse është organ shtetëror, ndonjë person tjetër juridik ose fizik.
Në atë drejtim, nëse ndonjë person i caktuar ka fituar pronë me vlerë të caktuar, por burimet e tij të të hyrave janë shumë më të vogla nga prona e fituar, pas njoftimit të marrë, gjegjësisht iniciativës, Drejtoria për policinë financiare qaset në mbledhjen e të dhënave dhe informacioneve për atë pronë. Përcaktimi i prejardhjes së pasurisë vazhdon përpara gjykatës, në procedurë civile, me ngritjen e padisë nga ana e Avokatit të shtetit, përfaqësues i shtetit me ligj. Pasuria ku do të konstatohet se nuk është fituar në rrugë të ligjshme, pra nuk ka prova për origjinën e saj, me vendim gjyqësor të formës së prerë kalon në pronësi të shtetit.
Gjithashtu, në ligj është paraparë detyrim për të gjithë e personat, që të paraqesin pronën që nuk është e paraqitur, gjegjësisht të evidentuar ose regjistruar në regjistrat përkatës.
“Aspekti pozitiv i këtij ligji është që me të njëjtin mundësohet që lëndë procesimi të jetë edhe prona me prejardhje të panjohur, për të cilën ekziston mundësi se është fituar me kryerjen e veprës penale, gjatë së cilës është shfaqur vjetërsim i ndjekjes penale, përkatësisht vjetërsim i veprës penale ose kur nuk ka dëshmi të mjaftueshme për kryerjen e veprës penale, ndërsa nuk ekzistojnë dëshmi si prona që e posedon personi e ka fituar. Në publik shpesh përdoren termet marrje ose konfiskim të pronës, e cila është e papërputhshme në këtë procedurë, pasi këto terme janë terme që përdoren në vepër penale ku kryhet konfiskim, gjegjësisht sekuestrim të pronës dhe përfitim pronësor fituar prej kryerjes së verifikuar penale nga ana e një personi përkatës”, vlerësojnë nga KShPK.
“Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, kompetencë e të cilit, ndër të tjera, është inicimi i zgjidhjeve ligjore, ka pritshmëri të arsyetuara se me miratimin e këtij ligji do të mbrohet interesin publik nga fitimi dhe disponimi i pronës origjina e së cilës nuk mund të vërtetohet”, thonë nga KShPSh.
Disa, nga ana tjetër druajnë se barra e dëshmisë së pronës më shumë do të bjerë mbi qytetarët. Ata duhet të dëshmojnë se nga vijnë paratë e tyre, nga i vjen shtëpia, banesa, arat e kështu me radhë. Do të ketë sërish ngacmime administrative dhe burokratike që do të lodhin tej mase qytetarët.
Sidoqoftë, duket akoma e paqartë se si do të zbatohet ky ligj, kur dihet se Antikorrupsioni has në vështirësi të shumta për evidentimin e pronës së personave zyrtar, të zgjedhurve, të emëruarve dhe të punësuarëve në sektorin publik, kjo për shkak të mungesës së softuerit, i cili akoma nuk është funksional.
Nga ana tjetër në mungesë të një ligji të tillë, funksionarët do të vazhdojë të mos e paraqesin pronën apo ta shkruajnë në emër të dikujt tjetër, megjithatë, pas kësaj zgjidhjeje ligjore, kjo gjë do të bëhet e vështirë ose pothuajse e pamundur.
Ndërkohë kërkesa për konfiskimin dhe evidentimin e pronës së zyrtarëve të korruptuar, ka bërë në vazhdimësi edhe Komisioni Evropian, dhe të njëjtën e përsëriti edhe në raportin e 19 tetorit të këtij viti. Në të thuhet se në vitin 2020, konfiskimi i pasurive kriminale është zbatuar ndaj 41 personave në 19 raste në aktgjykime të shkallës së parë. Sipas raportit, konfiskimi i pasurive kriminale duhet të bëhet përparësi strategjike në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe korrupsionit të nivelit të lartë në vend. Mjetet e vendit për ngrirjen, menaxhimin dhe konfiskimin e pasurive kriminale sipas BE-së nuk janë mjaft efektive, prandaj nevojitet një fokus i vërtetë për të ardhurat kriminale të personave publik.
- LEXO: RMV, ligji për prejardhjen e pronës: në mesin e nëntorit pritet mendimi i ekspertëve ndërkombëtar, ja çfarë përmban
- LEXO: Ligji për prejardhjen e pronës, i paralajmëruar tre muaj më parë nga Antikorrupsioni ka mbetur veç ide
- LEXO: RMV, Antikorrupsioni u bëri thirrje funksionarëve të sapo zgjedhur që të paraqesin gjendjen e pronës
- LEXO: KShPK-ja ka kostatuar 710 raste të mosparaqitjes së listës anketuese për gjendjen pronësore – do tu lëshohen urdhërpagesa kundërvajtëse