Me paradë të maskave të ndryshme u hap karnavali tradicional i Vevçanit
Me rastin e Vitit të Ri sipas kalendarit të vjetër Julian, në Komunën e Vevçanit u hap zyrtarisht manifestimi tradicional “Karnavali i Vevçanit”, i cili konsiderohet si një nga kuriozitetet më të mëdha dhe më unike kulturore në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë përtej, me një traditë mbi 1.400-vjeçare, raporton Anadolu Agency (AA).
Karnavali i Vevçanit, i cili mbahet me rastin e Vitit të Ri sipas kalendarit të vjetër, njihet si një manifestim provokues në të cilin paraqiten maska dhe personifikime të ndryshme.
Kryetari i komunës së Vevçanit, Spase Koçovski, në një deklaratë për media tha: “Uroj të ketë shumë argëtim dhe shoqërim. E dini, kushedi se për cilën radhë, edhe këtë vit po mbahet Karnavali i Vevçanit. Për dy ditë, e Vevçani është një teatër i hapur. Do të ketë shumë argëtim, shumë humor, shumë satirë. Thjesht njerëzit duhet të relaksohen, të kënaqen dhe të largohen nga Vevçani me dëshirën për të na vizituar përsëri vitin e ardhshëm”.
Karnevali filloi me shfaqjen e grupeve të maskuara të personave në Lagjen e Epërme dhe të Ulët të fshatit, të cilët përmes maskave të tyre përcollën mesazhe në formë satirike, si dhe kritika për ngjarjet e vitit 2022 në vend, rajon dhe më gjerë.
Manifestimi përfundon nesër me djegien tradicionale të maskave, gjest me të cilin besohet se pronarët e tyre do të çlirohen nga e keqja, ndërsa viti vijues do të jetë më i mirë dhe me më shumë begati.
Karnavali i Vevçanit konsiderohet si një prej kurioziteteve më të mëdha unike dhe kulturore në Maqedoninë e Veriut me traditë 1.400-vjeçare. Ky karnaval përmes maskave dhe personifikimeve të ndryshme përcjell mesazhet për ngjarjet e ndodhura gjatë vitit paraprak në vend dhe më gjerë, duke i kritikuar ato. Komuna e Vevçanit dhe Karnavali i Vevçanit janë anëtare të Asociacionit të Qyteteve Botërore të Karnavaleve (FEEC).
Komuna e Vevçanit zakonisht porosit që asnjë komunitet që jeton në Maqedoninë e Veriut të mos zemërohet me veprimet dhe maskimet e karnavalit, ndërkohë apelon që të mos ketë ndarje mes qytetarëve, pa marrë parasysh fenë apo përkatësinë etnike, pasi ky karnaval e paraqet vendin si shtet multietnik.