Chollet u takua me Kovaçevskin dhe kabinetin qeveritar: Lufta kundër korrupsionit, pjesë e çështjeve të biseduara

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja e ngarkuar për Politika të Qeverisjes së mirë, Sllavica Gërkovska dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski dhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi u takuan me Derek Chollet, këshilltar i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Bliknen, i shoqëruar nga zëvendëskryetari i Ambasadës së SHBA-ve në Shkup, Eric Meyer dhe përfaqësues të Ambasadës, njofton Portalb.mk.

“Në takim u theksua mbështetja e madhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përparimin e mëtutjeshëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut. U vlerësuar se miqësia tradicionale, e sinqertë dhe shumëvjeçare me SHBA-të ka rëndësi të madhe në zhvillimin e proceseve demokratike, të reformave dhe integruese të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Është konstatuar se partneriteti strategjik i Maqedonisë së Veriut me SHBA-të është mbështetje e fortë e të gjitha proceseve të rëndësishme për të ardhmen demokratike të vendit dhe për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve”, thonë nga Qeveria.

Ata shtojnë se në takim është diskutuar për çështjet aktuale me rëndësi për integrimin evropian të vendit, përballjen e krizës ekonomike dhe energjetike, si dhe situatën në kontekstin rajonal.

“Në këtë drejtim, u theksua mbështetja e qartë e SHBA-ve për progresin në integrimet evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si çështje me rëndësi për perspektivat evropiane, stabilitetin dhe sigurinë edhe në rajon, e cila u tregu veçanërisht e nevojshme pas luftës në Ukrainë”, thonë nga Qeveria.

Kryetari i Qeverisë, Kovaçevski, sipas kumtesës së Qeverisë, vlerësoi se ky është një takim shumë i rëndësishëm, me përfaqësues të rëndësishëm të SHBA-ve, në të cilin ka mundësi të diskutohet për tema më aktuale që kanë të bëjnë me ruajtjen e kursit reformues të shtetit dhe vendimet e nevojshme që duhet të merren gjatë vitit 2023, në mënyrë që Maqedonia e Veriut pa ndërprerë të vazhdojë negociatat me BE-në.

“Në këtë drejtim, kryeministri Kovaçevski tregoi konstruktivitetin e nevojshëm në Kuvend për miratimin e ndryshimeve e kushtetuese, me qëllim për të lëvizur drejt rrugës evropiane. Në takim, kryeministri Kovaçevski e theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm që ka Maqedonia e Veriut me SHBA-të në luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e së drejtës, me qëllim të avancimit të sundimit të së drejtës dhe forcimit të luftës kundër korrupsionit”, thonë nga Qeveria.

Si një nga temat u veçua edhe kryesimi i vendit tonë me OSBE-në, ku kryeministri Kovaçevski theksoi përgatitjet e ministrit Osmani për prezantimin e prioriteteve të presidencës maqedonase me OSBE-në gjatë ditëve në vijim në Vjenë.

“Vëmendje të veçantë iu kushtua pjesës rreth përballimit me krizën energjetike, për të cilën Qeveria është shumë e përkushtuar, ndërsa ka mbështetje edhe nga partnerët tanë të SHBA-ve. Pas takimit, që u zhvillua në një atmosferë jashtëzakonisht pozitive, u dakordua për një takim të ri në pjesën e dialogut strategjik që ka Republika e Maqedonisë së Veriut me SHBA-të, i cili është paraparë të zhvillohet në gjysmën e parë të këtij viti 2023”, thonë nga SHBA.

Nga fotot që Qeveria i ka ka publikuar, vërehet se Kovaçevski i ka dhuruar Cholletit një bluzë të Reprezentacionit Futbollistik të Maqedonisë së Veriut.

Vizita e këshilltarit të Departamentit të Shtetit zhvillohet në kuadër të turit ballkanik në të cilin Chollet përveç Shkupit do të vizitojë edhe Beogradin dhe Prishtinën. Qëllimi i këtij turneu, siç është theksuar edhe më parë nga Departamenti i Shtetit, është të theksojë përkushtimin e përhershëm të Shteteve të Bashkuara për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor.

Më 12 janar, Chollet do të vazhdojë në Beograd, ku me udhëheqësinë e qeverisë serbe do të diskutojë sigurinë energjetike, integrimin ekonomik rajonal dhe përparimin drejt synimit të Serbisë për anëtarësim në BE. Ai do të diskutojë gjithashtu rolin e Serbisë në forcimin e paqes dhe sigurisë rajonale dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Më 12 dhjetor, Chollet, anuloi vizitën në moment të fundit për në Maqedoninë e Veriut, pasi doli pozitiv me Covid – 19.

Më 9 janar, ambasadorja e SHBA-së në Shkup, Angela Ageler tha se lufta kundër korrupsionit do të mbetet prioritet për Uashingtonin dhe do të ngrejë disa çështje gjatë vizitës së këshilltarit Chollet.

Ageler theksoi se ky do të jetë një vit shumë intensiv për Maqedoninë, duke shtuar se Këshilltari Chollet me vizitën e tij do ta konfirmojë përkushtimin dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Maqedoninë e Veriut.

“Përparësitë e përbashkëta do të diskutohen me Chollet dhe lufta kundër korrupsionit do të mbetet prioritet për Uashingtonin dhe do të ngrejë disa çështje gjatë vizitës së tij këtë javë. Ky vit, 2023, do të jetë një vit shumë intensiv për ju dhe ai do të konfirmojë angazhimin dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në çdo mënyrë të mundshme”, tha Ageler në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve.

Nuk dihet nëse së bashku me Cholletin, në Shkup do të udhëtojnë edhe zëvendësndihmës sekretari shtetëror në DASH dhe i dërguari special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili herën e kaluar u paralajmërua se do të vijë.

Kujtojmë se gjyqësori në Maqedoninë e Veriut edhe gjatë vitit 2022 ka vazhduar të jetë në shënjestër të kritikave serioze për shkak të vendimeve skandaloze, të cilat kanë krijuar me të drejtë perceptimin te qytetarët se në këtë vend të vogël, ndëshkohen vetëm të pafuqishmit. Lufta kundër korrupsionit ka dështuarprandaj ndërkombëtarët edhe këtë vit e kanë qortuar RMV-në, derisa të rinjtë po largohen për të gjetur një vend ku shteti të gjithë i trajton në mënyrë të barabartë.

Ata të cilët shpallin vendime në emër të popullit, besimin e popullit nuk e kanë. Në anketën e fundit të IRI-it të realizuar në shtator-tetor 2022 vetëm 4% e qytetarëve të anketuar kanë deklaruar se kanë besim të plotë në gjyqësor. Qytetarët, edhe gjatë vitit paraprak, gjegjësisht 2021, deklaruan se nuk i besojnë gjyqësorit. Sipas anketës së “Eurothink”, vetëm 8% prej tyre kanë besim në gjyqësor.

Kjo tregon se vendi nuk po i bën reformat dhe hapat e mjaftueshme për kthimin e besueshmërisë së qytetarëve në sistemin e drejtësisë, i cili ka humbur ndër vite, si rezultat i politikës së mosndëshkueshmërisë së krimit dhe korrupsionit në nivele të larta.

Edhe gjatë vitit 2022, gjyqësori u përfol më së shumti në kontekst të bashkëpunimit me krimin dhe korrupsionin, se sa të luftimit të tyre. Jo rastësisht, ambasadorja amerikane, me të ardhur në RMV, si njollë të zezë të vendit e përmendi korrupsionin dhe për këtë, paralajmëroi ekip special amerikan për të vështruar në mënyrë më agresive funksionarët e korruptuar, të cilët e vizituan vendin, por nuk dihet se si do të veprojnë më tej.

Lidhur me pyetjen nëse ka diskutuar për rezultatet e hulumtimit të ekipit amerikan që ka mbërritur në Shkup për të hetuar korrupsionin mes ish-funksionarëve dhe zyrtarëve aktualë, ministri Osmani tha se korniza që përcakton marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut është dialogu strategjik dhe plani aksional i cili, siç tha ai, duhet të miratohet nga Qeveria në ditët në vijim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button