Lufta kundër korrupsionit prioritet i ShBA-së në RMV

Lufta kundër korrupsionit do të mbetet prioritet për Uashingtonin dhe do të ngrejë disa çështje gjatë vizitës së këshilltarit të Departamentit të Shtetit, Derek Scholl, javën e ardhshme, tha sot ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoni, Angela Ageler, transmeton Portalb.mk.

Në konferencën e sotme të përbashkët për media me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, Agelar theksoi se ky do të jetë një vit shumë intensiv për Maqedoninë, duke shtuar se Këshilltari Chollet me vizitën e tij do ta konfirmojë përkushtimin dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Maqedoninë e Veriut.

“Përparësitë e përbashkëta do të diskutohen me Chollet dhe lufta kundër korrupsionit do të mbetet prioritet për Uashingtonin dhe do të ngrejë disa çështje gjatë vizitës së tij këtë javë. Ky vit, 2023, do të jetë një vit shumë intensiv për ju dhe ai do të konfirmojë angazhimin dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në çdo mënyrë të mundshme”, tha Ageler në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve.

Lidhur me pyetjen nëse ka diskutuar për rezultatet e hulumtimit të ekipit amerikan që ka mbërritur në Shkup për të hetuar korrupsionin mes ish-funksionarëve dhe zyrtarëve aktualë, ministri Osmani tha se korniza që përcakton marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut është dialogu strategjik dhe plani aksional i cili, siç tha ai, duhet të miratohet nga Qeveria në ditët në vijim.

Osmani thotë se një nga instrumentet e SHBA-së, në kuadër të marrëveshjes me Shkupin, në luftën kundër korrupsionit, do të jetë edhe zgjerimi i listës së zezë për sanksione.

“Dialogu strategjik me Shtetet e Bashkuara është një kornizë për bashkëpunim të përbashkët edhe në luftën kundër korrupsionit, është platformë e dakordësuar dhe çdo mbështetje prej tyre është e mirëseardhur. U takon atyre të shohin se si do ta ofrojnë këtë mbështetje. Deri më tani ka qenë me trajnime të ekspertëve dhe tani ka shpallje për listën e sanksioneve dhe kjo është në kuadër të bashkëpunimit të dakorduar dhe në interes të ligjit të Maqedonisë së Veriut”, tha shefi i diplomacisë së Maqedonisë.

Ndërkaq, këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, do të arrijë në Maqedoni të mërkurën, njoftoi Departamenti Amerikan i Shtetit. Sipas deklaratës, ai po arrin në Shkup me një delegacion të posaçëm ndërinstitucional, i cili do të takohet me zyrtarë të qeverisë për bisedime për një sërë çështjesh, duke përfshirë energjinë, ekonominë dhe luftën kundër korrupsionit.

Maqedonia e Veriut, përveç që është kryesuese aktuale e Kartës së Adriatikut (A5), nga 1 janari mori edhe kryesimin e OSBE-së. Kryesimi bëhet në një kohë kur bota po përballet sërish me pushtimin rus të Ukrainës, dhe pikërisht konflikti në Ukrainë dhe reduktimi i pasojave të krizës do të ketë një vend qendror në agjendën e kryesimit të OSBE-së në vitin 2023.

Kujtojmë se gjyqësori në Maqedoninë e Veriut edhe gjatë vitit 2022 ka vazhduar të jetë në shënjestër të kritikave serioze për shkak të vendimeve skandaloze, të cilat kanë krijuar me të drejtë perceptimin te qytetarët se në këtë vend të vogël, ndëshkohen vetëm të pafuqishmit. Lufta kundër korrupsionit ka dështuar, prandaj ndërkombëtarët edhe këtë vit e kanë qortuar RMV-në, derisa të rinjtë po largohen për të gjetur një vend ku shteti të gjithë i trajton në mënyrë të barabartë.

Ata të cilët shpallin vendime në emër të popullit, besimin e popullit nuk e kanë. Në anketën e fundit të IRI-it të realizuar në shtator-tetor 2022 vetëm 4% e qytetarëve të anketuar kanë deklaruar se kanë besim të plotë në gjyqësor. Qytetarët, edhe gjatë vitit paraprak, gjegjësisht 2021, deklaruan se nuk i besojnë gjyqësorit. Sipas anketës së “Eurothink”, vetëm 8% prej tyre kanë besim në gjyqësor.

Kjo tregon se vendi nuk po i bën reformat dhe hapat e mjaftueshme për kthimin e besueshmërisë së qytetarëve në sistemin e drejtësisë, i cili ka humbur ndër vite, si rezultat i politikës së mosndëshkueshmërisë së krimit dhe korrupsionit në nivele të larta.

Edhe gjatë vitit 2022, gjyqësori u përfol më së shumti në kontekst të bashkëpunimit me krimin dhe korrupsionin, se sa të luftimit të tyre. Jo rastësisht, ambasadorja amerikane, me të ardhur në RMV, si njollë të zezë të vendit e përmendi korrupsionin dhe për këtë, paralajmëroi ekip special amerikan për të vështruar në mënyrë më agresive funksionarët e korruptuar, të cilët e vizituan vendin, por nuk dihet se si do të veprojnë më tej.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button