Organizatat shqiptaro-amerikane: Tolerimi i mëtejmë i Serbisë rrezikon përshkallëzime serioze në Ballkan

Përmes një komunikate të përbashkët, 17 organizata shqiptaro-amerikane e konsiderojnë të pafalshme që perëndimi është duke shtuar presionin ndaj Kosovës, sidomos për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas tyre, tolerimi i mëtejmë i Serbisë rrezikon përshkallëzime serioze në Ballkan, transmeton Portalb.mk.

Në komunikatë thuhet se tensionet e fundit në mes të Kosovës dhe Serbisë janë të nxitura nga përpjekjet e vazhdueshme dhe afatgjata të Serbisë për të minuar sovranitetin, integritetin territorial dhe përparimin demokratik të Kosovës, të gjitha të arritura me mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, BE-së dhe parterëve tjerë.

“Aleksandër Vuçiq dhe regjimi i tij vazhdojnë të paraqesin rrezik serioz ndaj paqes dhe stabilitetit në rajon, kryesisht për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me Putinin dhe Kinën, të cilat Perëndimi është duke i nënvlerësuar me naivitet. Kosova, ashtu si Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina, shihet nga Vuçiqi si një pengesë ndaj qëllimeve të tij radikale, të njëjta me ato të mentorit dhe paraardhësit të tij, Sllobodan Millosheviq, për krijimin e Serbisë së Madhe. Ne të nënshkruarit, duke paraqitur pikëpamjet e gati një milion shqiptarëve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, e konsiderojmë të pafalshme që demokracia më e re dhe më pro-amerikane në botë vazhdon të përballet me trysni të jashtëzakonshme nga diplomatët e BE-së dhe ShBA-së”, thuhet në deklaratë.

Sipas këtyre organizatave, insistimi i Zëvendësndihmës Sekretarit të Shtetit Gabriel Eskobar dhe ambasadorit amerikan në Beograd, Kristofer R. Hill që Kosova të bëj lëshime shtesë do ta minonte qartë qëndrueshmërinë e saj si shtet sovran dhe demokratik.

“Krijimi i një Asociacioni të komunave me shumicë serbe, siç po kërkohet, do të ishte shkatërrues ndaj rendit kushtetues dhe karakterit shumetnik që Kosova e mishëron, duke e bërë shtetin jofunksional dhe të paqeverisshëm, ashtu siç ka ngjarë në Bosnje. ShBA-ja dhe BE-ja duhet ta kuptojnë qartë dhe ta pranojnë që gjendja aktuale nuk është çështje e të drejtave të pakicës serbe. Pakica serbe ka të drejta të mëdha – të garantuara me kushtetutën e Kosovës – të cilat ne vetëm mund t’i dëshirojmë që Serbia t’ua njohë mbi 100,000 shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës”, vijon deklarata.

Po ashtu, këto organizata janë shprehur seriozisht të shqetësuara nga deklarata e ambasadorit Hill, që ka të bëj me kthimin e trupave serbe në Kosovë ku tha se është e drejtë e e Qeverisë së Serbisë që t’i drejtohet KFOR-it por ajo mbetet çështje politike.

“Kjo e dobëson rolin e ShBA-së dhe NATO-s dhe e rritë rrezikun e shtimit të tensioneve ndëretnike dhe të përshkallëzimeve. Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka rekrutë nga të gjitha etnitë, përfshirë serbët e Kosovës. Nëse ka nevojë për ta siguruar dhe mbrojtur Kosovën përtej asaj që KFOR-i e garanton, FSK-ja mund të ngrihet në krye të detyrës. ShBA-ja dhe BE-ja duhet të përqendrohen në mbështetjen e FSK-së dhe në përgatitjen e Kosovës për NATO dhe BE, duke i kundërshtuar prerazi aludimet se është e tolerueshme që Serbia qoftë edhe të mendojë për ta sulmuar Kosovën përsëri. Ne besojmë vendosmërisht që nëse edhe vetëm një ushtar serb e kalon kufirin, atëherë Kosova dhe shqiptarët nuk do të kenë zgjidhje tjetër përpos të mobilizojnë kapacitetet e tyre mbrojtëse dhe t’i dëbojnë të gjitha trupat pushtuese nga vendi, krimet e të cilave janë ende të freskëta në mendjet tona”, vijon deklarata.

Organizatat shqiptaro-amerikane thonë se ShBA-ja dhe BE-ja duhet të pushojnë së ledhatuari Serbinë dhe duhet ta refuzojnë lëvdimin e Vuçiqit dhe bashkëmendimtarëve të tij për shuarjen e kërcënimeve dhe problemeve të cilat i krijuan vet vetëm javë më parë.

“Politika e kohëve të fundit për barazimin e rremë të fajit në Ballkanin Perëndimor e ka nxitur një agresion të ri serb me qëllime hegjemoniste. Duke i paraqitur të dyja palët si përgjegjëse për përshkallëzimet dhe aktivitetin kriminal të mbështetur nga Beogradi, BE-ja dhe NATO janë duke e trimëruar agresionin dhe revizionizmin serb. Ne e shohim kundërproduktive dhe të papranueshme që, për shembull, ShBA-ja dhe BE-ja i quajnë barrikadat forma të ‘protestimit paqësor’. Raportimet nga mediat dhe burimet e besueshme dëshmojnë që barrikadat janë ngritur nga grupet kriminale dhe paramilitare, të komanduara nga Beogradi në bashkërendim me ‘Qendrën Humanitare Ruse’ në Nish të Serbisë dhe me mercenarët rusë të Grupit Wagner”, vijon deklarata.

Organizatat thonë se përderisa ShBA-ja dhe BE-ja i shohin barrikadat dhe kërkesat e Serbisë për kthimin e ushtarëve serbë si forma të trysnisë për detyrimin e Kosovës që të bëj lëshime, ata duhet të jenë syçelë ndaj pasojave.

“Lejimi i Serbisë që të sillet me agresivitet rrezikon shkatërrimin e përpjekjeve për paqe dhe investimet që ShBA-ja, BE-ja dhe shtetet e tjera demokratike i kanë bërë në Ballkan me dekada. Ky është një moment kyç në histori që të adresohet jostabiliteti i krijuar nga interesat hegjemoniste të Beogradit dhe të kthehet rajoni në rrugën e paqes dhe mirëqenies ekonomike. E vetmja mënyrë për ta arritur këtë është duke ia bërë me dije Serbisë – pa humbur kohë – që ajo ose e pranon pavarësinë e Kosovës ose e gjen veten në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Perëndimin, NATO-n, dhe çdo aspiratë që mund ta ketë për të hyrë në BE”, përfundon deklarata.

Nënshkruesit e deklaratës janë organizatat shqiptaro-amerikane: Federata Pan Shqiptare – VATRA, Kongresi Panshqiptar Amerikan (KPA), Batalioni Atlantiku – Atlantic Battalion, Shoqata Malesia e Madhe, New York, Shoqata Malesia e Madhe, Michigan Komuniteti Shqiptaro-Amerikan nga Illinois (KShAI), Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare, Shoqata Peja – Neë York, Shoqata Kraja, Shoqata Ulqini – Chicago, Shoqata Çameria, Shoqata Prespa – Chicago, Shoqata Uskana, Fondacioni Plavë Guci, Shoqata Ana e Malit Shoqata Valet e Liqenit dhe Shoqata Jehona – Michigan.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button