Tesla shënoi rekord të shitjeve të veturave elektrike në 2022

Kompania amerikane Tesla njoftoi se ka shitur një rekord prej 1,3 milion automjete elektrike vitin e kaluar, megjithatë, shitjet ishin më të ulëta nga sa kishte premtuar drejtori i përgjithshëm Elon Musk, i cili synonte rritjen e shitjeve me pothuajse 50 për qind çdo vit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Shifra e vitit 2022 tejkaloi rekordin e mëparshëm prej 936 mijë automjetesh të shitura në vitin 2021, por nuk arriti në 1,4 milion të nevojshme për të përmbushur objektivin e rritjes prej 50 për qind të kompanisë. Shitjet u rritën me 40 për qind krahasuar me vitin e mëparshëm, ndërsa prodhimi u rrit me 47 për qind, në 1,37 milion.

Objektivi nuk u arrit pavarësisht rritjes së fortë të shitjeve në fund të vitit që përfshinte zbritje të rralla prej 7.500 dollarësh në SHBA për modelet më të shitura Y dhe 3.

Tesla Inc., me seli në Austin të Teksasit, gjithashtu u detyrua të përballet me valën e re të infeksioneve të koronavirusit në Kinë, e cila ndërpreu prodhimin në fabrikën e saj në Shangai.

“Faleminderit të gjithë klientëve, punonjësve, furnitorëve, aksionarëve dhe mbështetësve tanë që na ndihmuan të realizojmë një 2022 të shkëlqyer në dritën e sfidave të ndjeshme gjatë gjithë vitit”, tha kompania e automjeteve elektrike dhe paneleve diellore.

Tesla nuk nxori ​​asnjë model të ri vitin e kaluar, ndërsa përballet me konkurrencë në rritje nga prodhuesit e vjetër të automjeteve dhe startup-et si Lucid dhe Rivian, të cilët vazhdimisht prezantojnë modele të reja të automjeteve elektrike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button