Qyteti i Shkupit shfuqizoi masën për transport publik falas
Nga nesër, e mërkurë, nuk do të vlejë vendimi për transport publik falas për të gjithë qytetarët. Vendimi i cili ishte i përkohshëm, u miratua të hënën si një ndër masat e pakos së Qytetit të Shkupit për ulje të ajrit të ndotur, transmeton Portalb.mk.
“Sipas të dhënave të sistemit moniturues shtetëror për cilësinë e ajrit më datë 26.12.2022, koncentrimet mesatare ditore të grimcave PM 10 janë nën pragun e definuar të alarmimit prej 150 мg/m3, ndërsa episodi prej dy ditëve të fundit është ndërprerë në Shkup dhe nuk do të vlejnë rekomandimet dhe masat për pragun e tejkaluar të alarmimit”, informuan nga Qyteti i Shkupit.
Prej aty shtuan se, do të vazhdojnë edhe më tej të ndjekin situatën me ndotjen e ajrit dhe në rast të nevojës për aktivizim të sërishëm të masave, mes të cilave edhe transporti falas, NQP Shkup do ta informojë me kohë opinionin.
Banorët e Shkupit u zgjuan nga smogu mëngjesin e sotëm dhe qyteti u gjend sërish në listën famëkeqe të renditjes së qyteteve më të ndotura në botë, duke zënë vendin e 9-të sipas platformës “IQAir”, e cila monitoron ndotjen e ajrit në kohë reale.
Në mesditë, MMJPH njoftoi se sipas të dhënave të Sistemit Shtetëror të Monitorimit të Cilësisë së Ajrit të Ambientit më 26.12.2022, përqëndrimet mesatare ditore të grimcave të pezulluara PM10 janë nën pragun e përcaktuar të alarmimit prej 150 мg/m3, episodi i dy ditëve radhazi është ndërprerë në Shkup dhe pushojnë së zbatuari rekomandimet dhe masat për tejkalimin e pragut të alarmimit.
Kryeqyteti i Maqedonisë, me indeks të cilësisë së ajrit prej 166, është në listë së bashku me qytetet nga India, Kina dhe Pakistani që njihen për cilësinë e dobët të ajrit. Sipas platformës, aktualisht ndotja e ajrit në Shkup është e dëmshme për shëndetin.
- LEXO: Ajri në Shkup edhe mëngjesin e sotëm i rrezikshëm për shëndetin, hynë në fuqi masat për tejkalimin e pragut të alarmit
- LEXO: Shkupi në top treshin e qyteteve më të ndotura në botë, bashkë me Bishkekun e Kirgistanit dhe Lahorin e Pakistanit
- LEXO: U futën në fuqi masat për tejkalimin e ndotjes së ajrit në Shkup, Kërçovë, Kavadar dhe Strumicë
- LEXO: Shkupi u ngjit në vendin e tretë në botë për sa i përket ndotjes së ajrit




