Komandanti, zëvendëskomandanti, udhëheqësi i turnit, si dhe gjashtë policë janë arrestuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare në aksionin e mbrëmshëm policor në vendkalimin kufitar “Tabanoc”, konfirmoi sot në një konferencë për media ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, transmeton Portalb.mk.

“Lufta kundër korrupsionit është synim strategjik. Të punësuar në institucionet publike kur merrni masa në fushën e korrupsionit nuk mund të përjashtoni veten, një nga synimet është forcimi i integritetit të punonjësve të policisë, ajo që ndodhi dje është pjesë e asaj. Dje kemi pasur 9 persona të arrestuar, këtë e ka bërë Departamenti për parandalimin e krimit të organizuar, keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe ryshfetit nga Tabanoci. Komandanti, zv/komandanti dhe 6 oficerë policie. Janë kryer bastisje, si dhe bastisjepersonale në banesat e tyre për gjetjen e lëndëve me origjinë nga veprat penale, po punohet për procedurën e mëtejshme për këtë rast dhe sigurisht kjo është pjesë e aktiviteteve për luftën kundër korrupsionit”, tha ministri Spasovski.

Në VK “Tabanoc” mbrëmë ka pasur aksion të Ministrisë së Punëve të Brendshme në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Për shkak të aksionit që po zhvillohej në pikën kufitare, ka pasur ndalesë disa orëshe dhe një varg të gjatë automjetesh.

I pyetur për kërcënimet për bomba se deri ku ka arritur hetimi, kreu i MPB-së u përgjigj.

“Sipas asaj që jam informuar para ngjarjes nga departamenti i krimit kibernetik lidhur me denoncimet do t’i analizojnë gjatë ditës sepse përdorimi i emaileve është pak më ndryshe se më parë. Hetimi për Dellçevën është në fazën përfundimtare, pritet që këto ditë të bëhet kallëzim penal, jemi në rrugë të mbarë për zgjidhjen e një kallëzimi tjetër. Fakt është se ky nuk është krim kibernetik, por sulme hibride në vend nga x aspekte, analizat tregojnë se janë të mundshme tre nivele arsyesh, e para janë interesat gjeostrategjike, pastaj politike dhe së treti aventureske që pamë nxënës të mitur”.