Nisi ndërtimi i Teatrit të ri në Tiranë

Nisi sot puna për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar që do të mbajë emrin “Zemra e Tiranës”. Në prezencën e emrave të njohur të skenës së teatrit, si Robert Ndrenika, Tinka Kurti etj, Kryeministri Edi Rama bashkë me kryebashkiakun Erion Veliaj dhe ministren e Kulturës përuruan nisjen e punimeve, raporton Klan.

Projektin e shumëdebatuar të teatrit, shefi i qeverisë e quajti gur të çmuar dhe shumë të nevojshëm për t’u dhënë artistëve një skenë dinjitoze.

“Unë ja kisha shpallur luftën asaj godine qysh në vitin 1998 kur u bëra ministër Kulture dhe kaloi shumë kohë. Por besoj se nuk do kishim patur këtë projekt që kemi sot. Ky projekt është një tjetër gur i çmuar në një gjerdan veprash që e kanë nxjerrë Tiranës jashtë kornizës së vjetër”.

Në fjalën e tij Kryeministri pati edhe një përgjigje për të gjithë ata që kanë qenë kundër projektit të teatrit të ri.

“Kur erdhi arkitekti i thashë, nuk e di nëse në jetën tënde ke pasur ndonjë përurim me polici. E ndërkohë, ajo që ka rëndësi e që është e bukura e kësaj skene është se perfekti i viteve 36 është këtu me ne. Nuk është në anën e atyre që donin të prishnin koncertin. S’kemi ç’bëjmë kjo është historia bashkëkohorë i zhvillimit të këtij vendi”.

Në ceremoninë e vendosjes së gurit të themelit, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, u shpreh se teatri do të ndërtohet në vendin e tij dhe do të jetë më i madhi dhe më i bukuri në rajon.

“Sot kemi dakordësuar diçka shumë të madhe: që Teatri do të jetë në tokën e vet, në territorin e vet, pa lëshuar asnjë centimetër, as privatit, as kujt tjetër. Sot kemi rënë dakord që Teatri do të ndërtohet me para publike dhe jo me partneritet, …dhe ne të kemi mundësi që me para publike, në tokë publike, të bëjmë një teatër 9 herë më të madh, më të fortë dhe sigurisht më të bukur në rajonin tonë”.

Kryebashkiaku i Tiranës iu përgjigj zërave kundër projektit.

“Për mua është një dilemë shumë e madhe se si mund të ketë ende forca politike kundër Teatrit? Si mund të ketë forca politike kundër sheshit? Si mund të ketë forca politike kundër këndit të lodrave? I quaj forca politike se nuk janë as parti. Janë një konglomerat, një aliazh copëzash të partive të ndryshme, asnjë parti integrale nuk është e përfshirë në këtë histori, është vërtet për të ardhur keq”.

I pranishëm ishte edhe arkitekti danez Bjarke Ingles, që dha detaje më të hollësishme të godinës.

“Ideja është për një godinë publike. Skenat janë në mes që nga kati i parë deri lart, ndërtesa është e hapur dhe ngrihet për të krijuar rrugë publike. Kemi dhe një ambient të jashtëm dhe e kthejmë çatinë në hapësirë publike. Kemi bërë që edhe gjatë ditës të shohësh si lëvizin ashensorët dhe si përgatiten skenat”.

Projekti i arkitektit Bjarke Ingels përfshin një sallë të madhe shfaqjesh me 635 vende dhe dy salla black box me nga 350 dhe 150 vende. Tarraca e ndërtesës është projektuar për një teatër të hapur me 500 vende. Godina në total do të jetë 9 kate, 7 kate mbi tokë dhe 2 nëntokë ku do të përfshijë ambiente teknike, parking, si dhe sallën e provave. Projekti parashikon edhe një sallë muzeale të kujtesës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button