RMV, tatimi për karbonin është paraparë në Ligjin e ri për Veprim Klimatik

Zvogëlim i emetimeve të karbonit që kontribuojnë në ndryshimet klimatike përmes tatimit të përdorimit të lëndëve djegëse fosile në prodhimtari, kjo është ideja e tatimit të karbonit që do e paguajnë kompanitë maqedonase që eksportojnë në Bashkimin Evropian. Përfaqësuesit e shteteve anëtare tashmë e kanë nënshkruar zbatimin e mekanizmit për tatimin ndërkufitar të emetimeve të karbonit. Marrëveshja e re është një pjesë qendrore e strategjisë së Bashkimit Evropian për zero emetime të karbonit deri në vitin 2050 dhe para se të hyjë në fuqi në vitin 2026 ajo duhet të miratohet zyrtarisht nga liderët në Këshillin e Evropës dhe të bëhet pjesë e ligjit evropian me miratimin e saj në Parlamentin Evropian, shkruan Meta.mk.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor informojnë se tatimi për karbonin në vendin tonë do të jetë si kapitull më vete i Ligjit për Veprimin Klimatik. Drafti i ligjit është gati dhe pas dhjetë ditësh do të publikohet në RVEN.

“Për funksionalitetin dhe dizajnin konkret të tatimit për karbonin do të duhet të hartohet një akt nënligjor. Nuk është përcaktuar ende as madhësia e tatimit, por qëllimi jonë është që ta harmonizojmë atë në nivel rajonal. Ai planifikohet të zbatohet përpara hyrjes në fuqi të vendimit në nivel të BE-së dhe fondet do të grumbullohen në arkën shtetërore. Ato do të jenë të dedikuara vetëm për investime në aktivitete me të cilat realizohen qëllimet klimatike nga Marrëveshja e Parisit dhe kontributet e reviduara ndaj Marrëveshjes së Parisit – teknologjitë e gjelbra, burimet e rinovueshme të energjisë dhe të ngjashme”, thonë nga kjo Ministri.

Duke qenë se ky tatim është parashikuar edhe në Strategjinë për energjetikë, organizatat civile në vend bëjnë thirrje që tatimi për karbonin të definohet sa më shpejt. Ata besojnë se sa më shpejt që të hyjë në fuqi, aq më shumë kohë do të kenë kompanitë vendore për t’u përshtatur me detyrimet që do t’i imponojë mekanizmi evropian në vitin 2026.

Sipas Nevena Smilevska nga “Eko Svest ”, kapacitetet që eksportojnë në BE dhe që do t’i nënshtrohen këtij tatimi, tre vjet para vendosjes së taksës do të kenë obligim të raportojnë për emetimet e tyre dhe të përgatiten për obligimet e tyre. Mënyra e vetme për t’u liruar nga tatimi ndërkufitar është që tatimin për karbonin ta paguajnë në vendin tonë.

“Duan s’duan, sektori ynë i biznesit do të paguajë tatim për karbonin. Çështja e vetme është nëse ato para do të derdhen në buxhetin e vendit, apo do të përfundojnë në BE. Për momentin nuk dihet nëse Bashkimi Evropian do t’i kthejë apo jo ato para në formë të investimeve në vendet jashtë tij, sepse sipas rregulloreve aktuale ato para do duhej të mbesin atje”, thotë Smilevska.

Ekologjistët besojnë se këto fonde që do të mblidheshin në buxhet duhet të përdoren për të zgjidhur pasojat nga mbyllja e termocentraleve. Në Maqedoninë e Veriut ka dy, ndërsa në Ballkanin Perëndimor 14 rajone që duhet të kalojnë një tranzicion. Smilevska mendon se për të siguruar realisht një tranzicion të drejtë në të gjitha këto rajonet, në BE duhet të krijohet një fond i cili do të mundësojë realizimin e projekteve më të rëndësishme.

Studimi për tatimin e karbonit propozon një zbatim gradual të tatimit për karbonin, që duhet të shpallet disa vite përpara. Supozohet se pa zbatimin e taksës, emetimet nga energjetika në Maqedoninë e Veriut në vitin 2030 do të zvogëlohen gjithsej për rreth tre përqind krahasuar me emetimet në vitin 2017, ndërsa, me vendosjen e një detyrimi të tillë, zvogëlimi i CO2 do të arrinte rreth 40 përqind në vitin 2030, gjegjësisht 42 përqind në vitin 2040.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button