Komisioni i 6 janarit pritet të rekomandojë ngritjen e akuzave penale ndaj ish-presidentit Trump

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për hetimin e sulmin të 6 janarit në Kapitol, zhvillon sot seancën e fundit publike. Komisioni pritet t’i rekomandojë Departamentit të Drejtësisë ngritjen e akuzave penale ndaj ish Presidentit Donald Trump, raporton VOA.

Komisioni i përbërë nga 7 demokratë dhe dy republikanë, veç ish presidentit, pritet të rekomandojë ndjekjen penale edhe të disa ish ndihmësve të tij, nën akuzat për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 të fituara nga demokrati Joe Biden.

Komisioni i 6 janarit nuk ka fuqi ligjore, prandaj rekomandimi për ndjekjen penale shënon vetëm një akt simbolik, pasi ngritja e akuzave i takon Departamentit të Drejtësisë.

“Mendoj se Presidenti Trump ka kryer disa shkelje ligjore dhe ai duhet të trajtohet si çdo amerikan që thyen ligjin dhe të ndiqet penalisht”, tha për CNN-in të dielën, demokrati Adam Schiff, anëtar i Komisionit.

Komisioni do të shkrihet në 3 janar, kur kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve ta marrin republikanët.

Që nga ngritja e tij në korrik të vitit 2021, komisioni ka intervistuar më shumë se 1 mijë persona, ka zhvilluar 10 seanca dëgjimore publike dhe ka administruar më shumë se sa 1 milionë dokumente.

Mbledhja e një numri të madh provash, ka nxitur anëtarët e komisionit të deklarojnë se zoti Trump duhet të fajësohet për sulmin e dhunshëm të Kapitolit nga mbështetësit e tij rreth dy vjet më parë.

Ligjvënësit kanë sugjeruar që zoti Trump të akuzohet për komplot për të mashtruar Shtetet e Bashkuara, përpjekje për të ndërprerë seancat zyrtare të Kongresit dhe kryengritje.

Ndërsa për ndihmësit e tij janë sugjeruar akuza për shkelje të ligjeve të etikës, abuzime ligjore dhe shkelje të ligjit për financimin e fushatave.

Komisioni pritet të bëjë publike sot një përmbledhje ekzekutive të raportit final, i cili, kur të shpërndahet pas disa ditësh pritet të përmbajë intervistat e zbardhura dhe rekomandime ligjore.

“Amerikanët kanë ndjekur punën e këtij komisioni dhe ne duam që njerëzit ta dinë se Kongresi e bëri punën e tij”, tha demokrati Jamie Raskin, një tjetër anëtar i Komisionit.

Edhe pse nuk kanë fuqi ligjore, rekomandimet e Komisionit do të shtonin presionin politik ndaj Prokurorit të Përgjitshëm Merrick Garland dhe Prokurorit të Posaçëm Jack Smith, që po zhvillojmë hetime mbi mënyrën e trajtimit të dokumenteve qeveritare, nga ana e ish-presidentit, pas largimit nga detyra në janar të vitit 2021.

Zoti Smith u emërua në nëntor si prokuror i posaçëm me përgjegjësinë e mbikëqyrjes së hetimeve për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara në Mara-Lago, rezidencën në Florida të ish-Presidentit Donald Trump, si dhe disa aspekte të hetimit për përpjekjet për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020 të fituara nga demokrati Joe Biden.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button