Argjentina fitoi botërorin, Franca nuk arriti të mbajë titullin e kampionit
Argjentina fitoi kampionatin botëror “Katar 2022” ku mundi Francën në penallti me rezultat 4-2. Me këtë rezultat Franca nuk arriti ta mbajë titullin e kampionit pas fitores në botërorin e kaluar. Pas barazimit në minutat e rregullta dhe ata shtesë, kombëtaret u përballën me penallti, me çka Argjentina arriti ta mund Francën, shkruan Portalb.mk.
Deri në minutën e 80-të Argjentina ishte në epërsi me dy gola, Lionel Messi shënoi penalti në minutën 23-të, dhe Angel Di Maria në minutën e 36-të.
Por, vetëm për dy minuta Franca barazoi rezultatin. Në minutën e 80-të Kylian Mbappe shënoi gol në penalti për Francën dhe një minutë më pas shënoi edhe golin e dytë duke barazuar rezultatin.
Minutat e rregullta mbaruan me rezultatin 2-2. Me këtë, loja vijoi me minuta shtesë, dy herë nga 15 minuta.
Në minutën 108 Lionel Messi shënoi gol duke përmbysur rezultatin në 3-2. Por, pas dhjetë minutash, Kylian Mbappe shënoi gol në penalti dhe barazoi rezultatin në 3-3.
Me barazim mbaruan edhe minutat shtesë, me çka ndeshja vijoi me penallti, ku Argjentina doli fituese ndaj Francës me rezultat 4-2.
Hera e fundit që dy skuadrat u përballën me njëra tjetrën ishte Kupa e Botës 2018, ku Franca mundi Argjentinën 4-3 dhe u shpall kampion.
Kjo është hera e tretë që Argjentina fiton botërorin, herën e fundit kampionë u shpallën në vitin 1986.
Finalja e Kampionatit botëror u luajt pas 63 ndeshjes të mbajtura në Katar. Në vend të tretë u radhit Kroacia e cila fitoi 2-1 ndaj Marokut në ndeshjen e djeshme.
Deri tani, vetëm Italia (1934 dhe 1938) dhe Brazili (1958 dhe 1962) kanë arritur të fitojnë titullin dy herë radhazi në historinë e Kupës së Botës FIFA. Franca ishte shumë pranë të bëhej shteti i tretë që të fitojë botërorin dy herë radhazi.