RMV, roli i komunave në procesin euro-integrues të vendit po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm

Vetëqeverisjet lokale janë subjekte të rëndësishme në politikën rajonale të Bashkimit Evropian. Roli i tyre në procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut po bëhet më i rëndësishëm. Përmirësimi i sistemit të vetëqeverisjes lokale është përgjegjësi e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale. Kështu deklaroi i pari i kësaj të fundit, shkruan Portalb.mk.

Sipas ministrit Risto Penov duhet të punohet më seriozisht në forcimin e kapaciteteve të administratës lokale, sepse çdo thirrje publike për projekte tregon se kjo do të jetë sfida më e madhe e vendit në periudhën e ardhshme.

“Fondet nga Programi IPA për bashkëpunim ndërkufitar janë drejtpërdrejt në dispozicion të komunave. Javën e kaluar shpallëm fillimin e Programit IPA 3 ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe 31 milionë euro të reja për projektet për të dyja vendet që po zbatohen nëpër komuna. Përmes përthithjes së fondeve të BE-së do të tregojmë gatishmërinë tonë për integrim, por kjo është edhe mundësi për zgjidhjen e problemeve dhe përmirësimin e gjërave me fondet e Bashkimit Evropian, theksoi Penov.

Mes tjerash ai theksoi se në periudhën e dytë të Programit IPA janë realizuar mbi 200 projekte të bashkëpunimit ndërkufitar nëpër komuna.

Por, sfidë mbetet decentralizimi fiskal i komunave. Penov theksoi se sivjet po kërkohen mjete nga buxheti, por edhe nga donatorët, për t’i drejtuar në projekte që do t’i ndihmojnë komunat të jenë efikase.

Në sesionin për zhvillimin lokal – Sfidat dhe mundësitë në kohë krize, gjetjet kryesore nga Raporti i Zhvillimit Njerëzor 2022 i UNDP-së dhe ndikimi i krizës shumëdimensionale në pushtetin lokal morën pjesë kryeministri Dimitar Kovaçevski, ambasadorja e Zvicrës Veronique Ulman, përfaqësues i përhershëm i UNDP-së Armen Grigorian, ministri i Financave Fatmir Besimi, kryetarja e BNJVL-së Danella Arsovska, kryetarë komunash, ekspertë dhe pjesëmarrës të tjerë.

Kujtojmë që para disa ditësh, në një konferencë të përbashkët për shtyp, kreu i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami theksoi se komunave duhet të u jepen më shumë kompetenca. Kjo gjeti mbështetje edhe nga ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Risto Penov, i cili theksoi se komunat më të mëdha duhet të kenë më shumë kompetenca, por kjo varret nga Kuvendi.

Nevojat për reforma në vetëqeverisjet lokale dhe kompetencat i theksohen edhe në Raportin e fundit të Komisionit Evropian për vitin 2022 mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian. Sipas këtij raporti theksohet se vendi duhet të finalizojë procesin e reformës në sistemin e vetëqeverisjes lokale. Konkretisht, raporti thotë se “ndryshimet në ligjin për financimin e njësive të vetëqeverisjes lokale synojnë sigurimin e burimeve shtesë financiare për komunat dhe fuqizimin e menaxhimit të financave publike në nivel qendror. Duke u mbështetur në këtë, Qeveria duhet të përparojë me riorganizimin e përgjithshëm të kompetencave ndërmjet nivelit qendror dhe atij subnacional”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button