Filozofia e provincës (II)

Filozofia e provincës, e konsideruar si vepra teorike më e rëndësishme e shkruar në gjuhën serbe (Jovanović, 2007), sipas disa autorëve përbën një libër shumë të mjegullt, të rëndë filozofik (Milenković, 2016), me shprehje jokonvencionale, me rreth 50% të fjalive të pakuptueshme (Antonić). Kjo vepër ngërthen një kurth logjik; kush s’e kupton atë, emërtohet “provincial”. Ajo është cilësuar si libri më subverziv i botuar në gjuhën serbe, “më i urryeri te djathistët serbë”, që ka shkaktuar “trazira” në botën akademike serbe e më gjerë. Konstantinoviqi është etiketuar si pseudo-hegelian, si imitues i Fenomenologjisë së shpirtit, leximi i të cilit për një shumicë përbën “dëshpërim” ose që mund të kuptohet me mundim të skajshëm. Suksesi i Konstantinoviqit qëndron në atë se i ka trazuar ujërat, i ka shtyrë mendimtarët që edhe pas 35 vjetëve të merren me të (Millorad Bellançiqi e ka shkruar veprën Gjenealogjia e pallankës [2004]).

Pse është i rëndësishëm për auditorin shqiptar ky libër? Sepse ne, si “bashkësi imagjinare” (Anderson), duhet t’i njohim të tjerët, “tjetrin” tonë historik, frymën e serbit, serbizmit, volonté générale-in e një etnikumi me të cilin fati na ka bërë fqinj, të kemi ndërveprim të ndryshëm nga ai që shpesh ka dalë si tragjik, si i dhimbshëm. Ky punim është me vlerë për lexuesin shqiptar për ta detektuar edhe provincialin tonë, shqiptarin e pagdhendur, djallëzoren brenda nesh, që ka emanacione sociologjike në bastardimin e frymës dhe filozofisë sociale dhe politike shqiptare, që e pengon emancipimin tonë të mirëfilltë dhe hapërimin konstruktiv në garën me kombet e tjera. Kjo është fryma katundareske që vazhdon të përfaqësojë një pjesë të mirë të bashkësisë sonë dhe ka një impakt të rëndësishëm në zhvillimet politike shqiptare, një mentalité populaires, një botëkuptim vazhdimisht i manipulueshëm, që mbron interesa shumë të kufizuara (Prifti, 2013).  Në zhargonin popullor ose argon e Kosovës dhe Maqedonisë shpesh përdoret termi denigrues sllav “seljak”, që nënkupton njeriun e pakultivuar, të thjeshtë, të pacivilizuar, kapadaiun, njeriun e ashpër, barbar etj. Në kulturën serbe është i fuqishëm edhe pezhorativizmi i termit “seljačina” (sinonime: đilkoš, prostak, džiber ose šaban): njeri i provincës (pallangës), “i trashë” (no-brain), i paarsimuar, që sillet në mënyrë të pakulturuar, që vishet pa shije (xhup lëkure dhe zinxhir të trashë ari në qafë), që dëgjon gjithçka, pos muzikës klasike… Një përçmim stigmatizues i ngjashëm ekziston edhe në kulturën turke përmes termit kurd “kuro”=>“kıro” (lexohet: këro), që do të thotë djalosh, por që me kalimin e kohës ka marrë kuptimet maganda (i pagdhendur), fshatar, vulgar, hanzo (njeri i pasur por pa shije)…

Sipas disave, katundarizmi është tipari kryesor i kulturës sonë kombëtare dhe politike gjatë tranzicionit. Në këtë drejtim, sipas prof. Ramës, për rastin shqiptar mund të aplikohet teoria e Ibn Khaldun-it: “Çdo tre-katër breza, një masë katundarësh, të etur për prona e për pasuri, turma malësorësh heroikë, të lidhur në strukturë tribale apo me një ideologji të caktuar, të drejtuar nga një grup individësh që kërkojnë pushtet, merr me forcë kontrollin e shtetit.” (Rama, 2014) Ky është profili i njerëzve që iu mungon një etikë dhe moral publik i rrënjosur në një ideologji që u shërben të gjithëve, kjo është matrica e njerëzve që grabisin, vrasin e vjedhin çka u del përpara, në emër të barazisë e të ligjit të më të fortit, që e shfrytëzojnë monopolin e fuqisë dhe rrjetin e lidhjeve, duke e zvetënuar shoqërinë deri në atë pikë sa gjendja duket tërësisht e pashpresë. Kjo është mendësia arriviste dhe materialiste karakteristike për parinë shqiptare të përbërë nga karrieristët, injorantët dhe hajdutët partiakë. (Mehmeti, 2016)

Një formë sui generis e provincializimit është edhe ajo në sferën e fesë, që ndodh në kontekstin shqiptar, që ka dimensione të një beduinizmi fatal, që ka tronditur thuajse tre dekada jetën tonë fetare-islame. Mungesa e sensit sociologjik ka bërë që një klikë “elitarësh” dhe fetarësh “safi” të kopjojnë jo vetëm frymën religjioze, por edhe atë kulturore dhe etnike arabe dhe, përtej, ta transferojnë en bloc në trojet shqiptare, kategori kjo që me gjuhën e autorit të kësaj vepre mund t’i quajmë “pallangas shpirtërorë”, “shpirt i kundërshtimit të vijës qendrore”, qytetarë të paqytetarizuar ose, me terma ibënhaldunianë, “njerëz me shpirt beduin”.

Dallimi mes katundarzimit tipik shqiptar dhe provincializmit serb ose “Serbisë gjithëpallangase” qëndron në atë se, në kontekstin shqiptar, rrymimi destruktiv është intern, brendashqiptar, pa pasoja për shoqëritë fqinje, ndërsa ai serb është i orientuar edhe eksternalisht, prek edhe të tjerët, pra etnicitetet dhe përkatësitë e tjera religjioze, joserbët dhe joortodoksët.

Filozofia e provincës është një kurs filozofik për të shmangur pasojat e mbylljes narcisoide në identitet (“ne dhe vetëm ne”), të identifikimit me vetveten, për të evituar mendësinë amorfe, represionin, ideologjinë retrograde, retro-historinë (Belančić, 2011), civilizimin patriarkal, klisheizimin dhe linçimin e tjetrit (Ivanković, 2009), krijimin e identitetit sakral ose të hyjnizuar, për t’iu shmangur ligjëratës së pallangës që buron nga barku e jo nga arsyeja e shëndoshë, që niset nga teza se polemos-i është babai i të gjitha ngjarjeve, një frenues ky i thekshëm i përparimit.

Ky tekst filozofik i mjegullt, herë-herë i pakuptueshëm, të cilin e kemi lexuar duke e krahasuar me origjinalin dy herë (më 2020 dhe 2022) nga germa e parë deri në fund, ku kemi shqipëruar pjesë të caktuara, që për shkaqe të panjohura kishin mbetur pa përkthyer, duhet të jetë literaturë e detyrueshme e katedrave të filozofisë, sociologjisë, shkencave politike, doracak për studiuesit e antropologjisë kulturore dhe politike, të psikologjisë politike, por edhe burim njohurish për ata që duan të mësojnë për weltanschauung-un modern serb, për vetëperceptimin e një kombi dhe kulture specifike ballkanike, për filozofinë e disfatës, për lëngatën e quajtur vetëreferencializëm, vetëfetishizim, për identitetin absolut si një asgjësi (hiç) dhe “fitore qiellore”!

I shprehim falënderimet tona mikut Latif Mustafa, që na shoqëroi në  30 faqet e para të redaktimit apo leximit të dytë të këtij përkthimi, disa ditë këto kur në Kampusin e Shkupit të UEJL-së zhvilluam biseda shumë dinamike, të këndshme dhe të frytshme lidhur me ligjëratën dhe shpirtin e kësaj vepre të veçantë.

Lexuesit që i përvishet këtij libri i themi që të jetë gati për ta sfiduar veten, për të komunikuar me një tekst me fjali të shumë të gjata, me fjalë, shprehje, paragrafë, faqe që mund t’iu duken si të pakuptimta, por që në esencë kanë domethënie të thella, semantikë shumëpërmasore dhe që iluminojnë. Dorëzimi është rruga më e lehtë. Në asnjë mënyrë mos e zgjidhni atë! Mos u zhgënjeni, mos e fajësoni përkthyesin! I tillë është teksti edhe në origjinal, siç u cek edhe më sipër. Ankesa kanë edhe folësit e gjuhëve të sllavëve të jugut dhe njohësit e temës. Ju sugjerojmë lexim të ngadalshëm dhe pjesë-pjesë, ngase nuk është një tekst i kulturës popullore as i beletristikës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button