Elton John braktisi Twitterin
Sir Elton John është bërë personazhi i fundit i famshëm që është larguar nga Twitteri që kur shefi i Teslas, Elon Musk e ka blerë platformën, raporton Koha.net. Këngëtari fajësoi “ndryshimin e politikës” të platformës rreth dezinformatave, raportoi BBC-ja të shtunën.
Twitteri ndaloi marrjen e masave kundër llogarive që përhapin informacione mashtruese rreth COVID-19, muajin e kaluar.
Në përgjigje të njoftimit të Sir Elton, Musku tha se shpresonte që ylli të kthehej.
“Gjatë gjithë jetës sime jam përpjekur të përdor muzikën për të bashkuar njerëzit. Megjithatë më trishton kur shoh sesi keqinformimi po përdoret tani për të ndarë botën tonë. Kam vendosur të mos përdor më Twitterin, duke pasur parasysh ndryshimin e tyre të fundit në politikë, i cili do të lejojë që dezinformata të lulëzojë pa kontroll”, ka shkruar Elton John në postimin e tij të fundit.
Që kur Musku përfundoi blerjen e Twitterit në tetor, në vlerë prej 44 miliardë dollarësh, ka pasur polemika mbi rikthimin e politikës së COVID-it, si dhe lëvizje të tjera të tilla si rivendosja e disa llogarive të pezulluara më parë dhe tarifimi i përdoruesve për “tikun e tyre blu”.
Një mori fytyrash të famshme, pas kësaj, janë larguar përgjithmonë nga Twitteri, duke përmendur liderin e ri si arsyen kryesore të largimit.
Aktorët Jim Carrey dhe Whoopi Goldberg, supermodelja Gigi Hadid dhe muzikanti i White Stripes, Jack White janë ndër ata që janë larguar nga uebfaqja e mediave sociale.