Pas bastisjes së dhjetëra lokacioneve në 11 shtete federale të Gjermanisë, policia gjermane ka arrestuar 25 persona, të cilët dyshoheshin për komplot për rrëzimin e Qeverisë, transmeton REL.
Prokurorët federalë thanë se në këtë aksion kanë marrë pjesë rreth 3.000 policë, të cilët kryen bastisje në 130 lokacione.
Ministri i Drejtësisë, Marco Buschmann, e përshkroi aksionin si “operacion anti-terrorizëm”, dhe tha se dyshohet se grupi kishte planifikuar një sulm të armatosur ndaj institucioneve të shtetit.
Raportimet në mediat gjermane thonë se grupi i përbërë nga figura të ekstremit të djathtë dhe ish-ushtarakë, planifikoi të sulmonte ndërtesën e Parlamentit, Reichstag, dhe të merrte pushtetin.
Sipas autoriteteve gjermane, 22 nga 25 të arrestuarit janë shtetas gjerman, ndërsa tre të tjerë, përfshirë një shtetas rus, dyshohet se e mbështesnin grupin.
Në krye të grupit dyshohet se ishte një 71-vjeçar, të cilit i referoheshin si princi Heinrich XIII.
Prokurorët federalë thanë se grupi planifikoi që ta instalonte atë si udhëheqësin e ri të Gjermanisë, dhe për këtë arsye vetë 71-vjeçari dyshohet se kishte kontaktuar me zyrtarët rusë me qëllim të negocimit të një rendi të ri në vend, pasi Qeveria gjermane të rrëzohej.
Ai dyshohet se u ndihmua nga një grua ruse, Vitalia B.
Pjesë e këtij grupi thuhet se janë anëtarë të lëvizjes ekstremiste “Reichsbuerger” apo “Qytetarët e Rajhut”, të cilët janë prej kohësh në vëzhgimin e policisë gjermane për sulme të dhunshme dhe teori konspirative raciste.
Ata, gjithashtu, refuzojnë ta njohin shtetin modern gjerman.
Rreth 50 burra dhe gra dyshohet se kanë qenë pjesë e grupit që thuhet se kanë bërë komplot për ta përmbysur Republikën dhe për ta zëvendësuar atë me një shtet të ri të modeluar sipas Gjermanisë së vitit 1871.