RMV, përfundoi dita e parë e debatit për Buxhetin e vitit 2023, të premten vazhdon debati dhjetëditor
Komisioni kuvendor për Financim dhe Buxhet vonë pasdite e përfundoi debatin e sotëm për Propozim-buxhetin për vitin 2023, ndërsa vazhdimi i mbledhjes së 52-të është caktuar për të premten në orën 11, raporton MIA. Për opozitën buxheti nuk është zhvillimor por inflator, kriza nuk është importuar, ndërsa për gjendjen e keqe ekonomike në shtet më shumë është fajtore Qeveria. Për deputetët e shumicës qeveritare Propozim-buxheti për vitin 2023 korrespondon me krizën ekonomike globale e cila e kaploi botën për shkak të luftës në Ukrainë, që pashmangshëm ndikoi edhe ndaj shtetit tonë.
Ministri i Financave, Fatmir Besimi, duke i replikuar deputetit të grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Igor Zdravkovski, i cili tha se shteti ynë ka inflacionin më të lartë në krahasim me shtetet e rajonit dhe se për këtë nuk është fajtore vetëm lufta në Ukrainë, tha se ky është Buxheti i katërt me radhë, duke e përfshirë edhe ribalancin për vitin 2020, të cilin Kuvendi e miraton në kushte të krizës.
“Vitet e kaluara, e kishim pandeminë, ndërsa tani krizën botërore ekonomike. Nuk hedhim faj, nuk shmangim përgjegjësinë. Por, ky është realiteti. Nuk mund të themi se nuk ka krizë në kushte kur ajo po mbizotëron në Evropë. Nëse shohim se nga çka përbëhet deficiti buxhetor prej 700 milionë euro, do të shohim se 250 milionë euro janë për masa për zbutje të efekteve nga kriza. Po të mos kishte krizë energjetike, deficiti do të ishte për aq më i vogël. Po të mos mendonim për zhvillim të projekteve infrastrukture, po të mos ishte Korridori 8, nuk do të parashihnim 250 milionë euro dhe po të mos ishin interesat e huave të cilat ishin grumbulluar nga e kaluara, nuk do të kishim 210 milionë euro shtesë. Ne në fakt, nuk kemi deficit të ri, përveç këtyre tri punëve”, tha Besimi.
Përndryshe, të hyrat e përgjithshme të Buxhetit për vitin 2023 janë planifikuar në nivelin prej 282,1 miliardë denarë dhe janë 14,8 për qind më të larta se në vitin 2022, ndërsa shpenzimet janë planifikuar në nivelin 324,8 miliardë denarë dhe janë 12,6 për qind më të larta krahasuar me vitin 2022. Deficiti buxhetor është planifikuar në nivelin prej 4,6 për qind nga BPV-ja e planifikuar ose 42,7 miliardë denarë.
Shpenzimet e përgjithshme janë planifikuar në vlerë prej 324,8 miliardë denarëve, që është 36,3 miliardë denarë më shumë se Buxheti për vitin 2022.
Para fillimit të seancës së sotme të 52-të të Komisionit për Financim, Besimi në mënyrë simbolike ia dorëzoi Buxhetin Stojanoskit në shenjë, siç tha ai, të bashkëpunimit të mirë të deritanishëm.
Propozim-buxheti për vitin 2023 është pika e vetme e rendit të ditës së Komisionit për të cilin mund të debatohet gjithsej 10 ditë. Sot përfundoi dita e parë e debatit, ndërsa vazhdimi i dytë do të jetë të premten në orën 11.
Ndryshe, sot në Kuvend filloi debati për Propozim-buxhetin për vitin 2023. Për të do të debatohet nga Komisioni amë për Financa dhe Buxhet.
- LEXO: ANALIZË: Buxheti 2023: ulje në shëndetësi, mbrojtje sociale, bujqësi, më shumë para për transportin, mbrojtjen… (Infografik)
- LEXO: Deputetët do të debatojnë për propozim-buxhetin, janë dorëzuar mbi 250 amendamente
- LEXO: Qeveria e RMV-së miratoi buxhet prej 5,3 miliardë euro për vitin e ardhshëm, parashihen më shumë para për komunat, pensionistët dhe pagat e rritura në arsim
- LEXO: RMV, u miratua propozim-buxheti për vitin 2023