Kryeministri Kovaçvski planifikon që deri në fund të vitit të ardhshëm të jetë gati rruga Kërçovë – Ohër

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në vizitën që e realizoi në punishten e autostradës Kërçovë – Ohër, shpalosi pritshmërinë e tij që deri në fund të vitit të ardhshëm të mbarojnë punimet në këtë rrugë, transmeton Portalb.mk.

“Rruga Kërçovë – Ohër është prioritet, presim deri në fund të vitit të ardhshëm të mbarojnë të gjitha punët ndërtimore”, u shpreh Kovaçevski.

Kryeministri numëroi sfidat e ndërtimit të kësaj rruge, si projektimi i dobët, hapja e tuneleve me gjithsej katër kilometra, terreni malor, dislokimi i largpërçuesve, ujësjellësit, kompanive, etj.

“E di sa është e rëndësishme për Kërçovën, Strugën, Ohrin, Vevçanin, për vendbanimet që gravitojnë në këtë rajon, por edhe për krejt shtetin, sa më shpejtë të mbarojë rruga Kërçovë – Ohër”, deklaroi Kovaçevski, duke theksuar që kjo deklaratë nuk duhet të merret si një premtim parazgjedhor.

Ai vlerësoi që kjo do t’i jep një impuls zhvillimit të rajonit perëndimor të Maqedonisë, veçanërisht Ohrit dhe Strugës.

“Presim deri në mesin e vitit të ardhshëm të kompletohet ana e majtë për qarkullim me rreth 90 %, ashtu që qytetarët të mund ta shfrytëzojnë, ndërsa ministri i transportit ka për detyrë që çdo ditë të brengoset, të jetë i fokusuar që të plotësojë afatin që deri në fund të vitit të ardhshëm të mbarojnë të gjitha punimet ndërtimore”, deklaroi Kovaçevski.

Ndryshe, më 30 qershor të vitit 2021, skadoi afati i dytë për përfundimin e autostradës Kërçovë-Ohër, pjesë Korridorit rrugor 8. Aneksi shtesë i marrëveshjes për vazhdimin e ndërtimit të këtij seksioni të autostradës do të shkojë së pari në Parlamentin e RMV për miratim nga deputetët.

Ndërtimi i autostradës Kërçovë-Ohër filloi në vitin 2014, por për shkak të lëshimeve serioze në dokumentacionin e projektit që rezultoi me nevojë për të rritur çmimin e ndërtimit dhe planifikimit shtesë të disa pjesëve të autostradës, afati fillestar për lëshim të autostradës në përdorim u zgjat për tre e gjysmë vjet, deri më 30 qershor 2021. Kjo datë është sërish tejkalua, me premtim se brenda rreth dy vjet e gjysmë ky segment përfundimisht do të ndërtohet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button