Site icon PORTALB

Space Tetova vendosi pajisje multifunksionale për parking biçikletash, ulëse dhe saksi, apelojnë të shtohen të njëjtat në qytet

Foto: Social Cultural Space Tetova

Mungesa e vend-parkingjeve adekuate për biçikleta dhe fasada e pamirëmbajtur e objektit të ish Radio Tetovës e cila është e dëmtuar nga faktori kohë dhe njeri, bëri që vullnetarët e Hapësirës Socio-Kulturore të instalojnë “Red Ribbon”-“Shiritin e Kuq” i cili është një pajisje urbane multifunksionale, shkruan Portalb.mk.

Në fillim të kësaj jave, në hapësirat e Hapësirës Socio-Kulturore të Tetovës u prezantua intervenimi urbanistik dhe ekspozita në lidhje me “Red Ribbon”, intervenimin urbanistik të pozicionuar në hyrje të objektit të ish radio Tetovës, objekt i cili mirëmbahet nga vullnetarët e “Space”.

Kjo pajisje e instaluar nis nga dyshemeja dhe ngritet lartë duke vazhduar kështu e lirë nëpër fasadë. Ky shirit i realizuar nga metali pa ndërprerë krijon funksione të ndryshme siç janë: mbulesë mbi derë, ulëse, parkim për biçikleta dhe saksi për lule.

Nga Hapësira Socio-Kulturore thonë se funksionet e këtij elementi janë shumë të nevojshme nga shfrytëzuesit e hapësirës Socio Kulturore “Space Tetova” dhe banorëve të lagjes.

“Qëllimi i arkitektëve dhe projektuesve është të krijojnë një lidhje midis kërkesave të shoqërisë dhe si ato mund të përkthehen në zgjidhje fizike që rezultojnë në qytete dhe hapësira më të jetueshme.  Filozofia pas këtij projekti është krijimi i një hapësire njerëzore bazuar në kërkesat aktuale të shoqërisë dhe dizajnimi i zgjidhjeve të përkohshme dhe të lira që do të ndihmojnë në identifikimin e zgjidhjes ideale afatgjate. Duke projektuar Red Ribbon, ne u përpoqëm të krijonim një element që të gjithë të ndihen rehat duke e përdorur, dhe njëkohësisht të shërbejë si katalizator për krijimin e ndërhyrjeve të përmasave të ngjashme në të gjithë qytetin, duke krijuar një mjedis më tërheqës për qytetarët”, theksojnë akrkitektët e këtij intervenimi.

“Red Ribbon” u financua nga Ministria e Kulturës dhe u realizua nga vullnetarët e Hapësirës Socio-Kulturore, duke i dhënë objektit të ish radio Tetovës një pamje tjetër në hyrje të tij.

Exit mobile version