Ministria e Financave në Maqedoninë e Veriut ka sqaruar që Komisioni parlamentar për financa dhe buxhet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut i ka dhënë dritë jeshile vendit për të marrë kredi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, transmeton Portalb.mk.
“Kjo është vetëm një nga mënyrat se si është siguruar financimi i deficitit buxhetor këtë vit”, sqarojnë nga Ministria e Financave duke vlerësuar se në këtë mënyrë do të kursehen rreth 40 milionë euro sivjet.
Propozimi i miratuar sot në Komision do t’i mundësoje Maqedonisë së Veriut qasje në 530 milionë euro të FMN-së nga Instrumenti për përkujdesje dhe likuiditet.
“Bordi i FMN-së duhet t’i aprovojë mjetet deri në fund të këtij muaji. Parashihet që mjetet të shfrytëzohen gjatë 24 muajve të ardhshëm. Afati i shlyerjes së mjeteve që do të tërhiqen caktohet në tre vjet e tre muaj nga tërheqja e vlerës nga mjetet. Norma e interesit me të cilën janë siguruar mjetet në këtë moment është nga 3.66% në 4.66%”, sqarojnë nga Ministria e Financave.
Ministria theksoi që deri në fund të vitit duhet të tërhiqen 110 milionë euro nga Maqedonia e Veriut.