Kurti e Vuçiq pritet të takohen në Paris

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkuar në Paris me ftesë të presidenti francez Emmanuel Macron për të marrë pjesë në një konferencë të paqes. Në Paris është edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani. Vet kryeministri Kurti para nisjes përmes një video mesazhi, bëri të ditur se në Paris mund të ketë një takim trepalësh me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, i cili po ashtu është i ftuar nga presidenti francez, transmeton DW.

“Përveç punimeve dhe darkës përgjatë këtij forumi prestigjioz, ndoshta mund të ketë edhe një takim trelateral me presidentin e Serbisë i cili po ashtu është ftuar atje. Unë me vete do të kem ekipin tim prej gjashtë anëtarësh nga kryeministria”, tha Kurti duke ripërsëritur qëndrimin e tij se është i interesuar për marrëveshje të plotë me Serbinë që ka siç thotë “njohjen reciproke në qendër”.

Dy propozime në tavolinë

“I kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhepropozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne”, tha Kurti. Detaje të planit franko-gjerman kryeministri i Kosovës nuk ka bërë. Por presidenti i Serbisë Vuçiq, ka thënë se “Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë që Kosova të anëtarësohet në organizata dhe institucione ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara, në këmbim të integrimit më të shpejtë të saj në BE”.

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell, para disa ditësh tha se ai i ka marrë përgjigjet nga Kosova dhe Serbia për planin franko-gjerman dhe se ato janë duke u shqyrtuar. Por nuk dha më shumë hollësi rreth kësaj nisme. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe të shmangin veprimet që mund të çojnë në përplasje, ndërsa shprehën zhgënjimin që qeveria e Kosovës nuk përfilli kërkesën për një shtyrje dhjetë muajshe të afatit për konvertimin e targave të makinave.

Zhgënjimi me qeverinë e Kosovës

Qeveria e Kosovës nisi më 1 nëntor të zbatojë planin e saj për riregjistrimin e makinave serbe me targa të paligjshme, përkundër kërkesës së komunitetit ndërkombëtar që ta shtyjë këtë plan. Në shenjë revolte, serbët e veriut masivisht dhanë dorëheqjenga të gjitha institucionet lokale dhe qendrore. Ata kanë thënë se nuk do të rikthehen në institucione, nëse Qeveria e Kosovës nuk e themelon Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe nuk e tërheq vendimin për riregjistrimin e makinave.

Plani i qeverisë për riregjistrimin e makinave me targa serbe parashihet të zbatohet në tri faza: e para, qortimi i shoferëve; e dyta, dënimi i shoferëve me 150 euro gjobë, dhe e treta, shpërndarja e targave provuese. Ambasadori amerikan Jeffry Havonier në një konferencë për medie të mërkurën në mbrëmje, i kërkoi qeverisë së Kosovës që mos të fillojë me gjoba për serbët, ta shtyjë zbatimin e planit edhe për 10 muaj, sepse, sipas tij, situata në veri ka “potencial për të eskaluar”. Ai i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të nisë urgjentisht “negociatat për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

“Duhet të ketë në tryezë një propozim për Asociacionin. Ai nuk duhet të jetë diçka që nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, tha Havonier. E qeveria e Kosovës refuzon që ta themelojë Asociacionin sipas kërkesave të autoriteteve të Beogradit të cilët kërkojnë që Asociacioni të jetë një etnik dhe të ketë kompetenca ekzekutive.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button