Site icon PORTALB

Pendarovski pranoi letrat kredenciale të ambasadores së re të SHBA-së, Angela Price Ageler

Stevo Pendarovski dhe Angela Price Ageler

Stevo Pendarovski dhe Angela Price Ageler

Presidenti Stevo Pendarovski sot pranoi letrat kredenciale të ambasadores së sapoemëruar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Angela Price Ageler, transmeton Portalb.mk.

Pendarovski i uroi ambasadores së re mirëseardhje dhe i dëshiroi suksese në kryerjen e funksionit të saj përgjegjës.

“Fakti që ky nuk është qëndrimi juaj i parë diplomatik në Shkup dhe se jeni njohëse e shkëlqyer i situatës në vendin tonë, është një supozim domethënës për pasurimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe. Të jeni e sigurt se në kryerjen e detyrave tuaja diplomatike do të gëzoni mbështetjen time dhe të gjithë ekipit tim”, tha Pendarovski.

Ai theksoi  se Republika e Maqedonisë së Veriut vazhdimisht i kushton vëmendje të veçantë zhvillimit të marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit dypalësh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat, siç tha ai, i konsiderojmë mik të madh, partner të rëndësishëm ekonomik dhe përkrahës të sinqertë në momentet më të vështira që nga pavarësia jonë.

“Përmirësimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve tona është një aksiomë politike e jashtme, e cila është prioritet i të gjithë faktorëve relevantë politikë në Maqedoninë e Veriut. Më gëzon veçanërisht fakti që në periudhën e kaluar ne kemi ndërtuar dhe përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe midis vendeve tona si aleate në Aleancën e NATO-s, duke ndarë vlerat e përbashkëta të demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut, si dhe angazhimin për një rend ndërkombëtar i bazuar në rregulla. Në kontekstin e sfidave të fundit gjeopolitike dhe agresionit ushtarak rus kundër Ukrainës, më lejoni të deklaroj se miqësia jonë e fortë fiton edhe më shumë rëndësi dhe është një garanci për stabilitetin dhe prosperitetin e vendit tim dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor, në tërësi”, tha Pendarovski.

Ambasadorja e re nga ana tjetër dha zotimin e saj se do të qëndrojë krah për krah me popullin e këtij vendi ndërsa vendi realizon qëllimet e tij për paqen, prosperitetin, sigurinë dhe pavarësinë për të gjithë qytetarët e tij.

“Evropa po përballet me kërcënimin më të madh, të ngjashëm me të cilin nuk është parë për breza, dhe Maqedonia e Veriut, si një aleat i besueshëm, aktiv në NATO, kontribuon për sigurinë dhe stabilitetin në Evropë. Për më shumë se 30 vjet ne kemi punuar së bashku për të siguruar vendin e merituar të Maqedonisë së Veriut në komunitetin më të madh evropian, duke mbështetur vlerat thelbësore të një demokracie të lulëzuar – respektin për sundimin e ligjit, mundësi të barabarta për drejtësi, rritje ekonomike, si dhe përmes angazhimit për arritjen e këtyre qëllimeve në mënyrë të hapur dhe transparente. Maqedonia e Veriut po përballet me sfida në themelet e të gjitha këtyre shtyllave. Ndërsa vazhdoni të ecni përpara, Shtetet e Bashkuara do të jenë këtu si një partner, aleat dhe mik, duke ushqyer një marrëdhënie që do të bëhet më e fortë, më e thellë dhe më produktive”, tha ambasadorja Angela Price Ageler.

Exit mobile version