Takimi për klimën, Guterres: Bashkëpunoni ose do të zhdukemi

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha sot se udhëheqësit botërorë duhet të bashkëpunojnë për zgjidhjen e sfidave të ndryshimeve klimatike, ose njerëzimi do të përballet me zhdukjen, raporton VOA. Në takimin e përvitshëm mbi klimën që po mbahet në Egjipt, zoti Guterres u bëri thirrje në veçanti Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, që të punojnë së bashku për çështjet e ndryshimit të klimës, duke bërë thirrje për arritjen e një marrëveshje botërore.

Më shumë se 100 udhëheqës botërorë po marrin pjesë në takimin e përvitshëm të OKB-së për klimën në Egjipt, ku po diskutohet mbi përpjekjet për të zgjidhur problemin e ndryshimeve klimatike, i cili po përkeqësohet gjithnjë e më shumë. Shkencëtarët e kanë quajtur këtë një nga sfidat më të mëdha të botës.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së tha se për t’i dhënë fund të gjitha vuajtjeve dhe për të shmangur “rrugën drejt ferrit klimatik”, duhet të ketë një bashkëpunim më të madh mes udhëheqësve botërorë.

“Njerëzimi duhet të bëjë një zgjedhje: të bashkëpunojë, ose të zhduket. Duhet të ketë një Marrëveshje Solidariteti për Klimën, ose Vetëvrasje Kolektive”, tha ai para udhëheqësve botërorë të mbledhur në Sharm el-Sheikh.

Organizata e Kombeve të Bashkuara u bëri thirrje vendeve për arritjen e një marrëveshje solidariteti për klimën që do të përfshinte mbështetjen e mjaftueshme financiare për vendet e varfra në mënyrë që ato të jenë në gjendje të përballojnë efektet e ngrohjes globale. Zoti Guterres përsëriti thirrjet për vendosjen e një takse ndaj fitimeve të mëdha të kompanive të prodhimit të naftës.

Në fjalimin hapës të konferencës, Presidenti egjiptian Abdel Fattah e-Sissi paralajmëroi se “planeti po bëhet një botë e vuajtjeve”.

“Ndryshimi i klimës nuk do të ndalet pa ndërhyrjen tonë. Koha është e kufizuar dhe ne duhet të shfrytëzojmë çdo sekondë që kemi për trajtimin e këtij problemi”, tha ai.

Udhëheqësit botërorë pritet të mos bien dakord mbi mënyrën se si vendet e pasura duhet t’i kompensojnë vendet e varfra për fatkqësitë e shkaktuara nga ndryshimet klimatike.

Zyrtarët thonë se qëllimi më i rëndësishëm i bisedimeve është zbatimi i planeve të Marrëveshje së Parisit të 2015, e cila synon të kufizojë ngrohjen globale në 1.5 gradë Celsius deri në fund të shekullit. Ndonëse është rënë dakord mbi kornizën e marrëveshjes, shumica e vendeve ende nuk kanë paraqitur plane gjithëpërfshirëse për zbatimin e saj.

OKB-ja thotë se tani, më shumë se kurrë, pasojat e mosveprimit mund të jenë shkatërruese, me valë të shumta vdekjeprurëse të nxehtësisë, rritje të shpejtë të nivelit të deteve dhe shkrirje të akullnajave që kërcënojnë “jetën në çdo kontinent”.

Për disa njerëz përshtatja me ndryshimet e motit pa asnjë lloj ndihme mund të jetë e pamundur, thotë fermerja Huda Saad nga delta e Nilit.

“Nëse moti është i mirë, ne marrim të korra të mira, por nëse vazhdon të jetë kështu, bimët shkatërrohen dhe nuk do të kemi gjë për të shitur”, thotë ajo.

Udhëheqësit e Indisë dhe Kinës, të cilat së bashku me Shtetet e Bashkuara janë tre ndotësit më të mëdhenj në botë, nuk do të marrin pjesë në negociatat për klimën, ndërsa Presidenti i Shteteve të Bashkura, Joe Biden, pritet t’i bashkohet takimit pas disa ditësh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button