Ca të dhëna mbi titanin fatkeq të vargut shqip

Emri i vërtetë i At Gjergj Fishtës (1871-1940), të lindur në Fishtë të Zadrimës, qe Zef Ndokë Ndoci. At Gjergj e pagëzoi poeti arbëresh Leonard de Martini.

Gjergj Fishta qe fëmijë me mendje të jashtëzakonshme. Shkollëm Françeskane e kreu në Shkodër, kurse studimet në Livno të Bosnjës në gjuhën kroate. Nga profesorët boshnjakë, që kërkonin nga studentët shqiptarë të flasin me njëri-tjetrin vetëm shqip, dëgjoi për herë të parë për bëmat e Skënderbeut dhe të kaluarën e Shqipërisë.

Pas stidimeve u bë mësues në Seminarin e Troshanit dhe famullitar në Gomsiqe të Mirditës. Qe kjo koha kur nisi të merret me veprimtari shoqërore. Kështu: më 1899 themeloi Shoqërinë ”Bashkimi”; më1905, me shtytjet e F. Konicës, botoi në Zarë këngën e parë të “Lahutës së Malcis”; më 1908 qe kryetar i Komisionit të Alfabetit në Manastir; më 1916 themeloi Komisinë Letrare, që u përkujdes për gj. Shqipe; gjatë viteve 1913-1940 botoi revistën “Hyllin e Dritës”; më 1921 themeloi gjimnazin “Illiricum” në Shkodër; më 1919 mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris; më 1907 formoi trupën teatrore të Shkodrës; më 1918 beratasit i dhuruan një pendë të artë për veprat e arrira letrare; më 1923, për ekspozitën me 23 punime, u zgjodh piktori më i mirë nga Akademia e Vjenës.

Në letërsi la gjurmë me veprat: “Lahuta e Malcis, “Mrizi i zanave”, “Anzat e parnasit”, “Pika Voeset”, “Gomari i Babatasit”, “Shqyptari i gjytetnuem”, “Juda makabre”, “Ifigjenia në aulli”…

Shkrimin e parë e botoi në Bosnjë (1890). Më pas shkroi poema, drama, poezi satirike, shkrime publicistike, ese, kritika, studime, përkthime letrare… Qe dhe orator, polemist, etnograf, pedagog, piktor, arkitekt, politikan…

Bashkepunoi me 50 revista shqipe dhe të huaja, përfshirë këtu edhe revistën “Albania” të Faik Konicës, në të cilën shkroi me pseudonimet: Gegë Toska, Suta, Rushman Sokoli, Rushmani…

Lexoi në origjinal Danten dhe klasikët greko-romakë. E dinte përmendësh veprën e Homerit dhe të Virgjilit. U ndikua nga folklori dhe nga krijimtaria e Rilindësve tanë. Natyrisht, edhe prej autorëve të shquar ballkanikë, si: P. P. Njegoshi dhe Ivan Mazhuraniqi. U popullarizua me veprën epike “Lahuta e Malcis”, të cilën shumëkushi e konsideron si epos ballkanik.

Fishta është autori i parë yni që braktisi temat e “Motit të Madh” dhe shkroi vepra për ngjarje të ndodhura nga gjysma e dytë e shekullit XIX gjer në vitin kur u nda nga jeta. Lirikat më të bukura i shkroi në veprën “Mrizi i Zanave”, ku madhëron Gjuhën shqipe, të kaluarën, heronjtë dhe mallkon tradhëtarët e kombit.

Poezitë satirike të Fishtës mbeten të pakalushme në letërsinë shqipe dhe jo vetëm. Humori dhe satira e tij therrëse kalon shpesh në sarkazma të pashoqe. Ai këndoi sipas parimit të Horacit, për të cilin thoshin: “Dënon duke qeshur”. Qe ky stili me të cilin sfidoi parazitët e kombit: qeveritarët, fajdexhinjtë, tregëtarët, shpirtin anadollak dhe mentalitetin feudal të vonuar në kohë dhe hapësirë. Për mendimin tim, vargjeve të tij satirike mund t’u afrohen vetëm disa shkrime në prozë të F. Konicës. Dëshmi për të sipërthënën janë vargjet e shkëputura nga vepra satirike “Gomari i Bbabatasit”:

Ju rrugaça sallahana vagabonda shakllabana rriqna t’ndyet, mikrobë të kqi qi të mjerës moj Shqypni kthelltë hi i keni në mushkni pa dhimbë gjakun tuj ia pi, por der kur, bre batakçi! Bre coftina, kalbë mbi dhè der kur ju, tu tallë npër ne, do t’na qelbi fis e atdhè?

At Gjergj Fishta është i pari shkrimtar yni i propozuar për çmimin Nobel. Ai qe dhe laureat i katër shpërblimeve të mëdha nga: Turqia (1912), Austrohungaria (1912), Greqia (1931) dhe Italia (1939).

Fishtën e bëri të madh puna titanike me vargun. Ai ndoshta akoma mban rekordin me 100.000 vargjet dhe me mbi 20.000 fjalët e shfrytëzuara në veprën e tij letrare, aq sa kanë shfrytëzuar dhe

dy korifejtë e letërsisë botërore: Shekspiri dhe Pushkini.

Jo rastësisht, përkthyesi në gjermanisht i “Lahutës së Malcis” – Maksimilian Lamberci, shkroi: Fishta është poeti më gjenial të cilin Shqipëria ia kishte dhënë botës. Fishta, shtoi ai: ishte poet homeroid, autori i një kryevepre që meriton të hyjë në letërsinë botërore…

Janë dhe shumë emra të tjerë të shquar të letërsisë shqipe dhe evropiane, që At Gjergj Fishtën e krahasojnë me: Homerin, Virgjilin, Orfeun, Tirteun, Gëten, Shilerin… Atë e quajtën: Vizionar, Poeti i popullit, Poet luftëtar, Apostull i pavarësisë, Vigan i racës shqiptare, Mbret i poetëve shqiptarë, Gjeniu më i lartë i fisit arbëror, Pjella më fisnike dhe më e bukur e tokës shqiptare, Krenaria e kombit shqiptar, Interpretues i qenies shqiptare…

Mjerisht, poeti më mitik; më i hymnizuari dhe më i lexuari në kohën e tij, pas vdekjes u bë krijuesi më i anatemuar i letërsisë shqipe; më i rrethuari me heshtje të gjatë mortore; më i pabotuari dhe më i egziluari i letërsisë shqipe…, për shkak se Enciklopedia sovjetike e Stalinit e shpalli më 1945 armik të racës sllave.

Kaq iu desh parësisë shqiptare që personalitetin dhe krijimtarinë unikate të Fishtës ta denigrojë me profkat idiote: Fishta qe shkrimtar shoven i britmave nacionaliste; shkroi poezi arkaike e krahinore, të palexueshme nga lexuesi bashkëkohor; krijoi poezi pa shtrirje kohore e hapësinore; shkroi poezi me mungesë të ndjenjës së atdheut…

Çfarë pafytyrësie! T’ia mohosh ndjenjën e atdheut Titanit që shkroi me shkul shpirti vargjet:

Dersa t’mundem me ligjrue

E sa gjall me frym’ un jam

Kurr, Shqypni, s’kam me t’harrue

Edhe n’vorr me t’përmend’ kam!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button