RMV, sot filloi vaksinimi falas kundër gripit sezonal për grupet e rrezikuara të qytetarëve
Në qendrat për shëndet publik dhe njësitë e tyre rajonale në qytetet në të gjithë vendin, prej sot nisën vaksinimin falas kundër gripit sezonal për grupet e rrezikuara të popullsisë, transmeton Portalb.mk.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se qytetarët e interesuar nga grupet e rrezikut mund të regjistrohen përmes ueb-faqes vakcinacija.mk, ndërsa deri më tani janë regjistruar mbi 27 mijë qytetarë.
Nga Ministria rikujtojnë se vaksinimi kundër gripit sezonal nuk është i detyrueshëm, por është i dedikuar për personat mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, punëtorët shëndetësorë, gratë shtatzëna, fëmijët nga gjashtë muaj deri në pesë vjeç.
Prej sot në qarkullim karvani për informim dhe vaksinim do të vizitojë 24 lokacione në të gjithë vendin
Ministria e Shëndetësisë, sot (19 tetor), me mbështetjen e USAID-it, UNICEF-it dhe OBSH-së, do të nisë fushatën e vaksinimit për gripin sezonal dhe vaksinat kundër COVID-19, ku karvani për informim dhe vaksinim do të vizitojë 24 lokacione në të gjithë vendin.
Nën sloganin “Të mbrojtur së bashku – Vaksinat funksionojnë”, karvani do të sjellë informacion për komunitetet lokale për vaksinimet e rregullta të fëmijëve, vaksinat e gripit sezonal dhe vaksinat kundër COVID-19 si dhe do të ofrojë vaksinime në vend kundër COVID-19.
“Për më shumë se dy shekuj, vaksinat i kanë ndihmuar njerëzit të qëndrojnë të shëndetshëm – që nga vaksina e parë për të mbrojtur kundër lisë e deri te vaksinat më të fundit të përdorura për të parandaluar rastet e rënda të COVID-19. Që atëherë, familjet dhe komunitetet kanë arritur të besojnë se vaksinat ofrojnë mbrojtje për të gjithë – nga të sapolindurit tek të moshuarit”, thanë dje nga Ministria e Shëndetësisë.
Ndërsa karvani fillon në prag të sezonit të gripit, ai do të ndajë informacione rreth vaksinimit të gripit sezonal në kontekstin e COVID-19.
“Nevoja për vaksinim kundër COVID-19 do të theksohet sërish, sepse 46,7% e popullsisë së përgjithshme në Maqedoninë e Veriut janë vaksinuar me dy doza, ndërsa vetëm 8,9% janë vaksinuar me një dozë të tretë. Ekipet e imunizimit që udhëtojnë me karvanin do të bëjnë vaksinimin në vend kundër COVID-19”, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.
Këto janë vendet dhe kohët në të cilat do të kalojë karavani:
• 19 tetor– Sheshi i Kumanovës (10:00-12:00); Çerkez-m oborri i shkollës [12:30-14:30]; dhe Staro Nagoricanë, përballë Komunës [15:00-17:00] • 20 Tetor– Sheshi i Strumicës [10:00-12:00]; Novo Sellë, përballë spitalit [12:30-14:30] dhe Vasilevë, përballë Shtëpisë së Kulturës [15:00-17:00] • 21 tetor– Veles, para teatrit [10:00-12:00]; Çashkë, në Sheshin afër Komunës [12:30-14:30]; dhe Buzallkovë, te komuna [15:00-17:00] • 22 tetor,- Prilep, përballë Çarshisë së Vjetër [10:00-12:00]; Dollnen, përballë komunës [12:30-14:30]; dhe Krivogashtan, përballë Komunës [15:00-17:00] • 23 tetor– Manastir, Kulla e Sahatit [10:00-12:00]; Novacë, ngjitur me pazarin [12:30-14:30]; dhe Mogila [15:00-17:00] • 24 tetor,-Ohër, Sheshi “Republika e Krushevës” [10:00-12:00]; Mesheishtë, te poligoni [12:30-14:30]; dhe Kosel, [15:00-17:00] • 25 tetor-Sheshi i Tetovës [10:00-12:00]; Bogovinë, përballë komunës [12:30-14:30]; dhe Tearcë, oborri i shkollës fillore “Kiril Pejçinoviq” [15:00-17:00] • 26 tetor-Sheshi i Shkupit [10:00-12:00]; Saraj, përballë shkollës fillore “Dituria” [12:30-14:30]; dhe Rakotinc, përballë Komunës [15:00-17:00].
Do të ofrohen edhe shërbime për matjen e tensionit të gjakut, të organizuara në bashkëpunim me Kryqin e Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Vaksinat kundër gripit sezonal janë nga kompania holandeze Abot.