Shkrimtarët dhe përralla për tre minjtë

Ka një përrallë për tre minjtë e fushës që përgatiten për stinën e dimrit. Miu i parë mbledh ushqime. I dyti e ndërton strehën. I treti shëtit, dëfrehet dhe mediton pa u merakosur për asgjë tjetër.

Pasi dimri është i butë, minjtë kanë ushqim të bollshëm dhe strehë të rehatshme, por i lodh mërzia. Atëherë në skenë ngjitet miu i tretë dhe arrin ta mposht mërzinë nëpërmjet rrëfimeve të bukura.

Shkrimtarët janë si miu i tretë. Ata nuk merren me punë të dobishme, por na kënaqin me rrëfimet e bukura. Prej rrëfimeve të tyre nuk kemi dobi praktike, por na krijojnë kënaqësi estetike. Sipas Kantit, e bukura është ajo që e duam pa pasur interes. Pra, e duam diçka që jo detyrimisht është e dobishme, ndonëse e bukura dhe e dobishmja, si kategori estetike, mund të jenë përplotësuese.

Sipas Gjergj Konradit krejt çka lexuesit i mbetet nga leximi i një libri është udhëtimi që ka bërë së bashku me shkrimtarin.

Simbolikisht, dy minjtë punëtorë, duke dëgjuar rrëfimet e miut aventurier, bënin një udhëtim imagjinar derisa e prisnin ardhjen e pranverës.

Sistemet autoritare i kërkojnë shkrimtarit që të jetë i dobishëm për shoqërinë. Gjyqtarët e akuzuan Josif Brodskin se “bënte jetë parazitare” dhe “i ikte detyrës shoqërore”. Prandaj, sipas tyre, ai nuk mund të ishte as poet. U dënua me pesë vjet punë të detyruar që të “përmirësohej”.

Në Shqipërinë komuniste shkrimtarët i dërgonin “në mesin e popullit” që të ishin të dobishëm dhe të mësonin si të shkruanin!

Nga shkrimtarët ende kërkohet që të merren me punë të dobishme për shoqërinë. U kërkohet që të jenë: edukatorë, atdhetarë, misionarë, ideologë, revolucionarë. Por, shkrimtari është vetëm shkrimtar. Asgjë më shumë. Puna e tij është që të na kënaqë me rrëfimet e tij, qofshin të përjetuara ose të sajuara. Ashtu siç bëri miu i tretë i përrallës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button