Banka Popullore e RMV-së filloi publikimin e të dhënave për kreditë për financim “të gjelbër”

Banka Popullore në ueb-faqen e saj, në mesin e të dhënave dhe treguesve për sistemin bankar të Maqedonisë së Veriut, ka filluar të publikojë edhe të dhënat tremujore për kreditë e financimit të gjelbër të miratuara për amvisëritë dhe shoqëritë jofinanciare, transmeton Portalb.mk.

Në informacionin e BP bëhet e ditur se publikimi i këtyre të dhënave është një nga aktivitetet e Bankës Popullore që kontribuon në krijimin e një ekonomie “të gjelbër” dhe të qëndrueshme.

“Deri më tani, Banka Popullore ka ndërmarrë disa aktivitete për rritjen e ndërgjegjësimit për pasojat e ndryshimeve klimatike dhe për komponentin gjithnjë e më të përhapur “të gjelbër” në financa në ekonominë maqedonase. Të ashtuquajturat “kredi të gjelbra” synojnë përmirësimin e eficencës energjetike të amvisërive dhe sektorit privat, për investime në teknologjitë e gjelbra, materiale dhe zgjidhje dhe për investime në burimet e rinovueshme të energjisë, kontrollin dhe parandalimin e ndotjes, mbrojtjen e mjedisit, si dhe reduktimin e rreziqeve nga ndryshimet klimatike”, thuhet në njoftim.

Banka Popullore rikujton se në fillim të vitit 2022 kanë kryer anketë për rreziqet e ndryshimeve klimatike, sipas së cilës 40 për qind e bankave vendase dhe bankave të kursimit kanë futur produkte dhe shërbime si reagim ndaj ndryshimeve klimatike, ndërsa 80 për qind e të anketuarve u përgjigjën se po shqyrtojnë futjen e produkteve dhe shërbimeve të reja në përgjigje të ndryshimeve klimatike.

“Ndryshimet klimatike dhe sociale, me të cilat po përballemi gjithnjë e më shumë, lënë gjurmë të dukshme në ekonominë globale dhe mund të ndikojnë në arritjen e objektivave të bankave qendrore. Prandaj është e nevojshme që politikëbërësit të angazhohen për të zbutur pasojat e mundshme ekonomike të ndryshimeve klimatike. Në të ardhmen, transformimi i gjelbër dhe ai digjital mund të kontribuojnë në ndërtimin e ekonomive më të forta që janë rezistente ndaj goditjeve,” thotë Banka Popullore, duke shtuar se “sfidat me të cilat po përballen tani ekonomitë e botës janë dëshmi se duhen kërkuar zgjidhje alternative dhe të mendohet në mënyrë afatgjatë në drejtim të ofrimit të burimeve të qëndrueshme të energjisë dhe rritjes së prodhimit të ushqimit”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button