Viti i ri akademik në Shqipëri, mësim dhe grevë
Viti i ri akademik ka nisur, por mësimi nuk është zhvilluar në të gjithë vendin. Pedagogët e disa universiteteve në Tiranë dhe rrethe kanë refuzuar të japin leksione pa marrë si fillim rritjen e pagës me 30% këtë vit dhe 20% vitin e ardhshëm, raporton Klan.
“Nuk është fare komode të jemi këtu në ditën e parë të shkollës. Çështja e arsimit të lartë ka ardhur gjithnjë e në rënie, në shpërfillje.”
“Nuk po protestojmë për luks, po për të drejtat tona.”
“Kam bërë specializime jashtë, artikuj të ndryshëm, por nuk e justifikojnë rrogën.”
Në universitetet ku pati bojkot të mësimit, në orët e paradites pedagogët zgjodhën vetëm të orientojnë studentët e viteve të para.
Studentët e shohin vendimin për bojkot herë të drejtë e herë jo krejtësisht. Prandaj dhe shumica prej tyre nuk iu bashkuan protestës.
“Nuk e di 50 me 50.”
“Mendoj se është e drejta e tyre.”
“Nuk jam i sigurtë, nuk kam koment.”
“Nuk do shkoj në protestë, thjeshtë kam ardhur të bëj prezantimin.”
Me përjashtim të Universitetit të Mjekësisë ku viti akademik nisi normalisht, në universitetet e tjera në Tiranë pati bojkot të mësimit. Ndërsa në rrethe, mësim i rregullt u zhvillua në Universitetin e Korçës dhe Vlorës.
“Ata që nuk iu bashkuan grevës janë oligarkë dhe grevëthyes”, tha kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi.
Sindikata e universiteteve është shprehur e vendosur për vazhdimin e protestave edhe në ditët e ardhshme.