Kievi u sulmua me dronë kamikazë

Sulme të reja ajrore kanë shënjestruar kryeqytetin ukrainas, Kiev dhe rajonin jugor Dnjipropetrovsk, në orët e hershme të së hënës, kanë thënë zyrtarët ukrainas, transmeton REL.

Kryetari i qytetit të Kievit, Vitalii Klitschko, ka thënë se janë dëmtuar ndërtesat e banimit në zonën Shevçenkivsky.

Andriy Yermak, shefi i Zyrës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se sulmet janë kryer me të ashtuquajturit dronë kamikazë.

“Rusët mendojnë se do t’iu ndihmojnë atyre”, ka thënë ai përmes një postimi në Telegram.

Presidenti Zelensky ka thënë se sulmet nuk do të “thyejnë” ukrainasit.

“Gjithë natën dhe gjithë mëngjesin, armiku terrorizon popullatën civile. Dronët kamikazë dhe raketat janë duke sulmuar gjithë Ukrainën. Armiku mund të sulmojë qytetet tona, mirëpo nuk do të mund të na thyejë neve”, ka thënë ai.

Ai ka konfirmuar se në Kiev është dëmtuar një ndërtesë banimi, pasi kryetari i qytetit ka thënë se dy persona kanë mbetur nën rrënoja.

Këto sulme raportohen një javë pasi kryeqyteti ukrainas është goditur me një mori raketash ruse, duke lënë të vdekur të paktën 19 persona.

Shpërthimet e së hënës janë regjistruar rreth orës 07:00, sipas kohës locale.

Klitschko u ka bërë thirrje banorëve që të qëndrojnë nëpër streha të sigurta.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se sulmet e javës së kaluar kanë qenë hakmarrje për bombardimin e Urës së Krimesë – e vetmja që lidh Rusinë me Gadishullin e Krimesë.

Putin e ka akuzuar Ukrainën për këtë sulm, mirëpo Kievi nuk e ka marrë përgjegjësinë.

Moska e ka aneksuar Krimenë më 2014.

Sulmet e javës së kaluar kanë shënuar herën e parë kur është goditur drejtpërdrejt qendra e Kievit.

Javën e kaluar, Putin ka thënë se nuk ka më nevojë për sulme të shkallës së gjerë në Ukrainë.

Sipas tij, shumica e shënjestrave janë shkatërruar dhe se qëllimi i tij nuk është që të shkatërrojë Ukrainën.

Rusia është duke përdorur më shpesh dronë të tillë vetëvrasës për të shënjestruar qendrat urbane dhe infrastrukturën, përfshirë stacionet e energjisë.

Në jug është raportuar për një zjarr në objektin e energjisë në Dnjipropetrovsk, pas goditjes me raketë në mesnatë, kanë thënë autoritetet.

“Tri raketa të armikut janë shkatërruar nga forcat tona për mbrojtje ajrore”, ka thënë Valentyn Reznichenko, guvernator i rajonit.

“Një raketë ka goditur objektin e energjisë. Ka zjarr të madh. Të gjitha shërbimet janë duke punuar në atë zonë”.

Luftime në Donbas

Forcat ruse dhe ato ukrainase po vazhdojnë luftimet e ashpra rreth dy qytezave në rajonin lindor të Donbasit, derisa Kievi është sulmuar me dronë të hënën.

“Pikat e nxehta në Donbas janë qytetet e Soledarit dhe Bakmutit”, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në adresimin e tij para popullit më 16 tetor.

“Luftime shumë të ashpra janë duke vazhduar”.

Bakmuti është shënjestruar nga forcat ruse prej muajve të verës.

Solerari, ndërkaq, gjendet në veri të Bakmutit.

Zelensky ka thënë se gati 65.000 ushtarë rusë janë vrarë prej nisjes së luftës në fund të muajit shkurt, shifër shumë më e madhe sesa ajo që e ka bërë të ditur Rusia më 21 shtator – 5.937.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë më 16 tetor se forcat e saj kanë zmbrapsur përpjekjet e forcave ukrainase për të avancuar në Donjeck, Herson, dhe Mikollaiv.

Rusia ka thënë po ashtu se ka vazhduar sulmet ajrore në shënjestrat ushtarake dhe ato të energjisë në Ukrainë.

Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë të hënën se Rusia është duke u përballur me më shumë probleme logjistike në jug, pas dëmtimeve që i janë shkaktuar Urës së Krimesë nga sulmet e 8 tetorit.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button