Duhet të jemi në gjendje t’ua paraqesim liderëve paketën e shpëtimit energjetik në nëntor, paralajmëroi Varhejl

Komisionari evropian për Zgjerim, Oliver Varheji, deklaroi se po punohet në kërkesat e Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera për ndihmë për mbulimin e nevojave energjetike, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.

Pas paralajmërimeve se presidenti Stevo Pendarovski ka kërkuar nga Komisioni Evropian që të ndihmojë Maqedoninë e Veriut për kompensimin e çmimit të energjisë elektrike nga Bullgaria, komisionari evropian sot në një konferencë për media u përgjigj se është i njohur me kërkesën dhe se po punojnë për “paket më të gjerë të shpëtimit”.

“Ne jemi duke punuar për paketë më të gjerë të shpëtimit të energjisë për të gjithë Ballkanin dhe po përpiqemi ta dorëzojmë shumë shpejt, duhet të jemi në gjendje t’ua paraqesim atë liderëve në nëntor në samitin e Procesit të Berlinit, ku po kërkojmë mënyra për t’i ndihmuar ata. Për t’iu përgjigjur nevojave urgjente afatshkurtra dhe afatmesme, për të krijuar furnizime alternative me gaz apo energji elektrike, si të ndihmohen interkonektorët e gazit apo energjisë elektrike”, deklaroi komisionari evropian pasditen e sotme.

Ai shtoi se është e nevojshme të inkurajohen investimet, veçanërisht në energjinë e gjelbër dhe efiçencën energjetike duke theksuar se ndërtesat e “stilit sovjetik” konsumojnë shumë energji.

Përndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 30 shtator e votoi vazhdimin e afatit të gjendjes së krizës për shkak të mungesës së energjisë elektrike në territorin e gjithë shtetit, si dhe për shkak të mungesës së energjisë termike.

Me këtë, gjendja e krizës në energjetikë u vazhdua edhe për gjashtë muaj, gjegjësisht prej sot deri në prill të vitit të ardhshëm.

Më 28 shtator, në seancën e 85-të të Qeverisë së RMV-së u miratua ndarja e 1.1 miliard denarëve për furnizim të vazhdueshëm me energji termike. Qeveria e Maqedonisë së Veriut sqaroi që do të subvencionohet për 80% energjia elektrike për 650 mijë shtëpi, ndërsa rreth 70 mijë kompani do të kenë energji elektrike tri herë më pak se çmimi i tregut. Kjo do të vlejë për kompanitë e vogla me qarkullim vjetor deri 2 milionë euro.

Nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Nga Qeveria njoftuan se marzha për tregtinë e energjisë elektrike është kufizuar në 10%por kjo masë që kishte hyrë në fuqi më 15 qershor, nuk ka arritur të parandalojë rritjen e çmimeve. Paraprakisht nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike dhe njoftuan se për përballimin e krizës energjetike janë siguruar mbi 100 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button