Në vend si një pasuri natyrore, qytetarët e trajtojnë Kanionin e Matkës si një kosh mbeturinash
Në pritje për t’u shpallur monument natyror, pas përfundimit të sezonit veror Kanioni i Matkës po ngulfatet nga mbeturinat. Për banorët e Shkupit, por edhe për qytetarët e tjerë në vendin tonë, vizita në fshat dhe Kanion si mjedis për rekreacion ishte një mundësi për t’u freskuar nga asfalti i nxehtë gjatë verës dhe për të pushuar në natyrë me ajër të pastër, raporton Meta.mk.
Megjithatë, kur vizitoni zonën para shtigjeve për ecje hasni në shumë mbeturina të lëna nga vizitorët e pakujdesshëm.
Konservat e ushqimit, shishet e plastikës, madje edhe mbetjet e pelenave dhe letrat e tualetit janë ndër mbeturinat më të shumta që mund të shihen nëpër shkurre, disa të lëna edhe disa metra larg koshave të mbeturinave.
Gjatë vizitës së fundit vumë re që zona në të dy anët e lumit Treska është e pastër dhe ashtu ishte edhe gjatë verës. Edhe me gjithë përpjekjet për ta ruajtur natyrën piktoreske, me sa duket ekipet e Ndërmarrjes Publike Komunale nuk mund të arrijnë deri tek ato pjesë ku qytetarët i hedhin mbeturina.
Për atë se sa shpesh Ndërmarrja Komunale Saraj punon në terren, javën që shkoi Meta.mk iu drejtua me disa pyetje Komunës së Sarajit, por përgjigje nuk kemi ende.
„Sa shpesh pastrohet fshati dhe shtigjet që të çojnë në Kanionin e Matkës? Cili është qëndrimi juaj në lidhje me ndërgjegjësimin dhe pakujdesinë e njerëzve që i lënë mbeturinat e tyre në natyrë edhe krahas koshave të shumtë për mbeturina? A është më e madhe ndotja e mjedisit gjatë periudhës së verës, nëse kemi parasysh që zona është më e vizituar në atë kohë? Si mund të ndikohet tek qytetarët për ta rritur ndërgjegjësimin për mjedisin jetësor?”, janë pyetjet që mbetën pa përgjigje deri në ditën e publikimit të këtij shkrimi.
Pas publikimit më 26 shtator të projektligjit për rishpalljen e Kanionit të Matkës për monument natyror, seanca publike për shqyrtimin e përmbajtjes së tij është caktuar për më 17 tetor.
Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor thonë se biodiversiteti i pasur, shumëllojshmëria e vlerave natyrore dhe gjeodiversiteti janë arsyet kryesore se pse Kanioni i Matkës renditet si një nga lokalitetet më të rëndësishme të trashëgimisë natyrore në vend.
Pavarësisht përfshirjes së këtij monumenti natyror në Rrjetin Kombëtar Emerald të zonave me interes të veçantë për ruajtje të Bashkimit Evropian, kujdesi nga popullata vendase mbetet në një nivel të ulët, duke kërcënuar kështu drejtpërdrejt habitatet e florës dhe faunës të përhapur në të gjithë zonën.
Ndryshe, Kanioni i Matkës qysh nga viti 2004 është duke pritur që të shpallet sërish zonë e mbrojtur si monument i natyrës. Një nga raritetet më të bukura natyrore në vend, që është shtëpi e shumë specieve të rralla dhe endemike të bimëve e kafshëve, duke përfshirë shkabën egjiptiane dhe shkabën me kokë të bardhë (grifon), të cilat janë në listat e kuqe të specieve të rrezikuara, ka mbetur e pambrojtur për gati dy dekada para sulmeve të ndërtimeve të paligjshme dhe pa menaxhim të duhur që do të sigurojë ruajtje të vlerave natyrore të këtij kanioni.
Në vitin 2010, u përgatit Studimi për rivlerësimin e vlerave natyrore të zonës së mbrojtur, monument natyror, “Kanioni i Matkës” në kuadër të projektit të UNDP “Forcimi i qëndrueshmërisë ekologjike, institucionale dhe financiare të sistemit të zonave të mbrojtura kombëtare të Maqedonisë” me fonde nga Bashkimi Evropian. Në vitin 2019, gjithashtu përmes UNDP, një projekt u financua për të rishikuar kufijtë e zonës së mbrojtur, i nevojshëm për të miratuar Ligjin për shpalljen e lokalitetit Matka monument natyror.
- LEXO: Ministria, Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Sarajit ranë dakord për Matkën
- LEXO: Matka deri në fund të vitit do të rishpallet monument natyror
- LEXO: Këshilli i Qytetit të Shkupit pranoi propozimin që Kanjoni i Matkës të shpallet momument natyror
- LEXO: Në pritje të rishpalljes zonë të mbrojtur, Matka vazhdon të jetë e rrezikuar nga veprimtaritë ilegale
- LEXO: Ka 16 vjet që Matka pret të shpallet sërish zonë e mbrojtur
- LEXO: Ende po punohet në hartimin e projekt-ligjit, Matka 17 vjet po pret për t’u shpallur monument natyror