Situata me gripin sezonal në Tetovë është stabile, filloi vaksinimi për grupet e rrezikuara
Me ndryshimin e stinëve dhe klimës, zakonisht paraqiten edhe viruset sezonale apo gjatë vjeshtës gripi sezonal. Ditëve të fundit vërehet intensitet i rritur i pacientëve që kërkojnë ndihmë në repartin e Ndihmës së Shpejtë në Tetovë po për këtë çështje. Kështu thotë në një bisedë për Portalb.mk doktor Besnik Mustafai, duke theksuar se situata me gripin sezonal në Tetovë aktualisht është e qetë. Ministria e Shëndetësisë nuk ka evidenca për situatën reale në vend, ndërsa para dy ditësh filloi vaksinimi kundër gripit sezonal.
Sipas doktor Mustafait, në këtë periudhë më të pranishme janë viruset e gripit sezonal, por edhe virozat gastrointestinale dhe infeksionet bakteriale.
Përafërsisht, sipas tij në një ndërrim dymbëdhjetë-orësh në repartin e ndihmës së shpejtë ka rreth 60-80 kontrolle ambulantore si dhe rreth 5-10 intervenime në terren.
Simptomat më të shpeshta me të cilat paraqiten pacientët janë plogështia, temperatura, gërvishtjet në fyt, kolla dhe kokëdhembja.
“Pacientët të cilët janë me imunitet të fortë zakonisht e kalojnë gripin sezonal pa simptoma, pa ndonjë komplikim, ndërsa pacientët të cilët kanë imunitet më të dobët mund të vijë seri te infeksionet sekondare, ku mund të vijë edhe në ndonjë komplikim më serioz. Shumica e pacientëve testohen edhe me teste të shpejta Covid-19 antigen, por për dallim nga periudha e kaluar, tani shumë më pak raste kemi që mund të jenë pozitiv”, tha Mustafai.
Rekomandimi i doktor Mustafait për qytetarët është të mos përdorin antibiotikë pa rekomandim të mjekut.
“Është një dukuri që çdo natë e hasim te pacientët që vijnë për kontroll me arsyetimin se “nuk pata kohë, ma dha dikush se të bën mirë etj”. Pra duhet të vetëdijesohemi sa më tepër që mos shkatërrojmë imunitetin tonë pa nevojë. Sa më tepër të konsumojmë vitamine, lëngje, ushqim të shëndetshëm dhe në këto temperatura të ulëta të rrimë në ambiente më të ngrohta”, porositi Mustafai.
Ministria e Shëndetësisë nuk ka ende evidenca për situatën reale në vend me rastet e gripit sezonal.
Para dy ditëve, përmes ueb-faqes vakcinacija.mk filloi regjistrimi për vaksinim falas kundër gripit sezonal për grupet e rrezikuara të popullsisë. Kështu njoftoi për Portalb.mk Ministria e Shëndetësisë.
Vaksinimi falas kundër gripit sezonal është opsional, ai është i destinuar për grupet e rrezikuara si: të moshuarit mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, punonjësit shëndetësorë, gratë shtatzëna, fëmijët nga 6 muaj deri në 5 vjeç. Bëhet fjalë për vaksinë kundër katër llojeve të gripit sezonal, e prodhuar nga kompania Abbott nga Holanda.
Qytetarët që bëjnë pjesë në grupet e rrezikuara mund të shprehin interesin e tyre duke plotësuar aplikacionin në këtë LINK.
“Duke plotësuar aplikacionin, ju regjistroheni për vaksinim direkt në sistemin My Termin. Sipas orarit të parashikuar në planin e vaksinimit, do të njoftoheni me SMS porosi për datën, orën dhe vendin e saktë se kur duhet të vaksinoheni”, thanë nga Ministria.
Ndryshe, vaksinimi kundër gripit sezonal është masa më efektive për parandalimin e gripit, i cili parandalon shfaqjen e formave më të rënda, ndërlikimet dhe përfundimet fatale, veçanërisht në grupet e rrezikut.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon që grupet e rrezikuara të vaksinohen kundër gripit çdo vit.