Site icon PORTALB

Studim, nga RMV ikin punëtorët pasi ka mospërputhje të kërkesës së tregut dhe mungesë të perspektivës për të rinjtë

Foto nga prezantimi i raportit

Foto nga prezantimi i raportit

Sot në Shkup gjatë një platforme shkëmbimi dhe panel diskutimi të nivelit të lartë u prezantua studimi “Migracioni i fuqisë punëtore në Ballkanin Perëndimor: Modelet e hartëzimit, adresimi i sfidave dhe korrja e përfitimeve” i mbështetur nga Zvicra dhe Austria dhe i përgatitur nga Organizata Ekonomike për Zhvillim dhe Bashkëpunim, njofton Portalb.mk.

Politikëbërës dhe opinionisë, përfaqësues të sektorit privat dhe ekspertë u bashkuan për të kuptuar më mirë tendencat, modelet dhe pasojat e migracionit të fuqisë punëtore dhe gjetjen e shtigjeve për zhvillimin socio-ekonomik të Maqedonisë së Veriut.

Zëvendëskryeministri i ngarkuar me Çështjet Ekonomike, Fatmir Bytyqi, së bashku me ambasadoren e Zvicrës në Maqedoninë e Veriut, Véronique Hulmann, ambasadorin e Austrisë në Maqedoninë e Veriut, Georg Woutsas, dhe Anita Richter, ushtruese e detyrës së shefes së Divizionit të Evropës Juglindore të OECD-së, hapën konferencën duke theksuar se tendenca kryesore në pasojat e migracionit të punës të Maqedonisë së Veriut është mospërputhja midis kërkesës së tregut të punës në Maqedoninë e Veriut dhe mungesa e perspektivave për të rinjtë.

Në panel diskutim morën pjesë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, Viktor Mizo, drejtor i Kostal dhe kryetar i Shoqatës së Kompanive të Huaja me Prodhim të Avancuar Teknologjik të Këshillit të Investitorëve të Huaj, Nena Mançev, menaxhere e Programit të Lidershipit dhe Edukimit në Maqedoni2025, dhe Sofija Daceva, një grua e re që ka studiuar jashtë vendit dhe themeloi biznesin e saj “Wice” në Maqedoninë e Veriut.

Panelistët u pajtuan se sfidat kyçe që duhet të adresohen nga hartuesit e politikave kanë të bëjnë me tejkalimin e hendekut midis kërkesës së tregut të punës dhe sistemit arsimor, me përmirësimin e klimës së investimeve për të inkurajuar më tej investimet e huaja të drejtpërdrejta nga diaspora dhe me zhvillimin e stimujve për talentet e reja që të kthehen në Maqedoninë e Veriut pas trajnimeve dhe studimeve jashtë vendit.

Raportin mbi  migracionin e fuqisë punëtore mund ta gjeni këtu dhe shënimin për Maqedoninë e Veriut mund ta gjeni këtu.

Exit mobile version