Site icon PORTALB

Komuna e Tetovës preu drunjtë për të krijuar vende parkimi

Rruga te “Stacioni i Vjetër i Zjarrfikësve” në Tetovë,

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Dy javë pas raportimit të Portalb.mk për mungesën e parkingjeve dhe kërkesat e banorëve për të njëjtën në hapësirën e njohur si te “Stacioni i Vjetër i Zjarrfikësve” në Tetovë, dje filluan punimet. Por, për këtë qëllim u prenë drunjtë ndërsa Komuna e Tetovës nuk tregon nëse të njëjtit do zëvendësohen me të rinj. Sipas planit, kjo hapësirë planifikohet të shndërrohet në parking të mbyllur.  

Кomuna e Tetovës me 22 korrik ka nënshkruar kontratë me “Çabi Trans” për ndërtim të parkingjeve të mbyllura në territorin e Komunës së Tetovës. Vera e kësaj kontrate është 3 milion denarë me TVSH.

Në këtë hapësirë, e njohur ndryshe edhe si pas hamburgerisë “Tajo” në Tetovë u prenë disa drunj të mëdhenj. Portalb.mk ishte dje pasdite aty dhe pa se makineritë e kompanisë “Çabi Trans” po punonin dhe pastronin hapësirën dhe largonin drunjtë.

Komuna e Tetovës për Tetovoinfo njoftoi se me kërkesë të banorëve do të rregullojë  këtë hapësirë në bllokun 37 dhe se do të jetë parking i mbyllur.

Sipas informacioneve, 100 banorë tashmë në vitin 2017 dhe në shkurt 2022 kanë nënshkruar një kërkesë për riparimin e të gjithë rrugës – shtrimin e saj me pllaka betoni, vendosjen e dritave dhe rregullimin e parkingut.

Mirëpo, ky veprim nuk u prit mirë nga shoqëria civile.

Nisma Tetova do Park e cila advokon për mbrojtjen e hapësirave të gjelbra në këtë qytet, thotë se Komuna e Tetovës dhe kreu, Billall Kasami i kanë bindur ata se mundën të shkatërrojnë edhe atë pak gjelbërim të mbetur në qytet.

Në emër të qytetarëve nga kjo nismë komunës dhe kryetarit të saj i kërkojnë publikisht përgjigje për pyetjes si vijon:

Këto kërkesa të “Tetova do Park”, u mbështetën edhe nga nisma qytetare Më mire për Tetovën”.

Nga ana tjetër, Komuna e Tetovës nuk përgjigjet në pyetjet e Portalb.mk se cila është arsyeja e prerjes së drunjve dhe se a do të mbillen drunj të rinj aty.

“Do të vendosen pllaka të reja bekaton, do të vendosen shenja horizontale, ndriçim dhe rampë për hyrje dhe dalje në parking. Më datë 26.07.2022 është dhënë urdhër për punime ndërtimore në rr. D.G.Kara – blloku urban 37”, thuhet në informimin e Komunës së Tetovës për Tetovoinfo, duke shtuar se punimet zhvillohen në koordinim me banorët që jetojnë aty dhe se nuk ka probleme.

Kujtojmë që  vetëm para dy javësh qytetarët të cilët jetojnë në këtë hapësirë për Portalb.mk deklaruan problemet me infrastrukturën dhe parkingjet.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Komuna e Tetovës para disa muajsh preu drunjtë e vjetër përgjatë rrugës Strasho Pinxhur dhe zëvendësoi ata me të rinj. Ky veprim nuk u mirëprit nga shoqëria civlie dhe nxiti reagime shumë të ashpra në opinion.

Komuna e Tetovës për Portalb.mk në muajin korrik njoftoi se pikërisht në këtë rrugë, ishte paraparë parking zonal, ku aso kohe thanë se janë në pritje të inspektoratit për mënjanimin e pengesave, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete.

Exit mobile version