Site icon PORTALB

Pas kuazi-referendumeve, Putini të premten pritet të shpallë aneksimin e rajoneve të okupuara të Ukrainës

Vladimir Putin, Twitter

Vladimir Putin, Twitter

Ministria britanike e Mbrojtjes njoftoi se presidenti rus Vladimir Putin, nga e premtja, mund të shpallë aneksimin e territoreve të okupuara të Ukrainës, raportoi Guardian, transmeton Portalb.mk

Një informacion i tillë vjen në ditën e fundit të mbajtjes së kuazi-referendumeve në rajonet e pushtuara Kherson, Zaporozhye, Donetsk dhe Luhansk.

Pas shpalljes së rezultateve të kuazi-referendumeve, Putin të premten do t’iu drejtohet të dy dhomave të parlamentit rus. Fjalën e tij, Putin mund ta shfrytëzojë edhe për të shpallur aneksimin zyrtar të rajoneve të pushtuara në Rusi.

“Ekziston një mundësi reale që Putini të përdorë fjalimin e tij për të shpallur zyrtarisht anëtarësimin e rajoneve të okupuara të Ukrainës në Federatën Ruse. Referendumet që po zhvillohen aktualisht në këto territore duhet të përfundojnë më 27 shtator.”, thuhet në raportin e fundit të Ministrisë Britanike të Mbrojtjes.

Nëse Rusia vendos të aneksojë rajonet e pushtuara, vlerësimet janë se kjo situatë mund të përshkallëzohet në luftë në Ukrainë, pasi udhëheqja ruse mund të pretendojë se territori i saj sovran po sulmohet me armë perëndimore.

Ndërkohë, sulmet ruse në Ukrainë po vazhdojnë. Të paktën katër persona kanë vdekur në sulmin e fundit në qytetin ukrainas Pervomajski, në rajonin e Kharkiv, raporton Ukrinform. Mes të vdekurve është edhe një vajzë 15-vjeçare, e cila u vra nga granatimet e objekteve civile.

Për vetëm një ditë e natë, forcat ruse hodhën 90 raketa në qytetin Nikopol në rajonin e Dnipropetrovsk, ndërsa të paktën katër persona u plagosën nga sulmi me raketë në ndërtesat e banimit në qytetin Kramatorsk në rajonin e Donetskut, transmeton Ukrinform. Në pjesët e këtij rajoni që nuk janë nën pushtimin rus, të paktën tre persona kanë vdekur nga gjuajtja me raketa në 24 orët e fundit, bëjnë të ditur autoritetet ukrainase.

Ndryshe, administratat e instaluara nga Rusia në katër territore ukrainase, që pjesërisht kontrollohen nga Moska, më 23 shtator kanë nisur të mbajnë të ashtuquajturat referendume për t’iu bashkuar Rusisë.

Liderët e instaluar nga Kremlini në këto katër rajone kanë thënë më 20 shtator, se planifikojnë të mbajnë votimet për aneksim prej 23 deri më 27 shtator.

Këto referendume u konsideruan të rreme, për shkak se bien në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara.

Exit mobile version