Trafikantët e drogës tentuan ta rrëmbejnë ministrin belg të Drejtësisë

Ministri belg i Drejtësisë, Vincent Van Quickenborn, është nën mbrojtje të shtuar policore, pas një tentative rrëmbimi, të cilin e konfirmoi edhe ai vetë në profilin e tij në Facebook, raporton MIA, transmeton Portalb.mk

Lajmi se ministri i Drejtësisë i Belgjikës është nën mbrojtje të shtuar policore dhe i ndaluar nga ngjarjet publike u konfirmua të shtunën nga zyra e prokurorisë federale të Belgjikës, por e njëjta nuk dha detaje mbi arsyet. Prej ditës së djeshme nisën të dalin detaje tjera mbi rastin.

“Prokuroria zbuloi se bëhet fjalë për një plan kidnapimi, sipas gjasave, i lidhur me botën e krimit dhe drogën.”, njoftoi korrespodenti i MIA-së nga Brukseli.

Sipas burimeve fillestare të gjykatës, një makinë Renault Megane me targa holandeze është parë mëngjesin e së premtes pranë shtëpisë së ministrit në qytetin Courtre të Belgjikës. Në makinë u zbulua një pushkë e tipit kallashnikov dhe një fuçi benzinë. Në bazë të të dhënave nga policia, makina është raportuar e vjedhur. Burimet thonë se ky skenar “është parë edhe më parë”, kur ka qenë çështja për tentativë të rrëmbimit. Grupi mbërrin me dy automjete, një e vjedhur, që do të përdoret për rrëmbim, pastaj e djegin me benzinë ​​që të zhduken të gjitha gjurmët.

“Këtë herë unë isha objektivi, por fatkeqësisht shumë në polici dhe gjyqësor janë përballur me këtë.”, ka shkruar Van Quickenborn në profilin e tij në Facebook.

Që nga ai moment, ministri belg  u vu nën mbrojtje të shtuar, ndërkohë që organet e drejtësisë përmes njoftimit të publikuar të shtunën “u dërguan sinjal personave të grupit kriminal.”, thanë burime të sigurisë për gazetën belge Le Soir.

Pas kësaj ngjarje,  janë arrestuar katër persona, por nuk dihet nëse mes tyre janë edhe “koka” apo “kokat” e këtij operacioni. Të arrestuarit janë nga 20 deri në 48 vjeç dhe janë arrestuar në Hagë të Holandës. Belgjika tani është në pritje të transferimit të tyre.

Arsyeja e kësaj tentative rrëmbimi duhet kërkuar në mjedisin e drogës, pasi në Belgjikë janë hapur një sërë hetimesh lidhur me trafikun e drogës. Belgjika kohët e fundit arriti të depërtojë në një nga aplikacionet më sekrete të mesazheve të koduara, Sky ECC, më i përdorur në qarqet kriminale. Disa hipoteza u parashtruan në debatet e shumta në Belgjikë: grupet kriminale donin të bënin presion ndaj Belgjikës apo të lironin të burgosurit me këtë përpjekje?

Megjithatë, ajo që po bëhet gjithnjë e më e ditur, është se Belgjika përballet me një problem serioz kur bëhet fjalë për trafikun e drogës. Porti i Antwerpen është qendra për këto banda kriminale. Vetëm javën e kaluar u zbulua se një oficer i policisë federale u arrestua pasi i ofroi miliona euro një doganieri për të marrë përsipër një ngarkesë prej disa kilogramësh kokainë.

Vetëm në vitin 2021 janë sekuestruar 90 ton kokainë dhe 30 ton në periudhën janar-qershor të këtij viti, pra 4.5 miliardë euro çmim shitje.

Disa ekspertë kanë frikë se Belgjika po shndërrohet në një “narko-shtet”. Njëri prej tyre shpjegon se trajtimi i lëndëve të papërpunuara, më shumë bëhet në Belgjikë, se sa në vendet prodhuese. Kjo më pas krijon më shumë dhunë, si në rastin e ministrit të Drejtësisë.

Hakimi i Sky ECC të koduar me sa duket ka luajtur një rol të madh në zhvillimet e fundit, tha kriminologu  Mikael Dantin për gazetën Le Soir, sepse tronditi sistemin e kontrabandistëve dhe tregun e tyre, duke lënë borxhe dhe huadhënës kudo.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button