Site icon PORTALB

Siria voton në zgjedhjet presidenciale

Siria voton në zgjedhjet presidenciale

Populli sirian do të votojë të martën në zgjedhjet presidenciale nën masa të rrepta sigurie dhe nën kërcënimin e rebelëve, të cilët janë zotuar se do të prishin procesin.

Presidenti Bashar al-Assad pritet gjerësisht të fitojë një mandat të tretë 7-vjeçar, por kjo është hera e parë në këtë dekadë që ai do të ketë 2 kundërshtarë.

Dy kandidatët e tjerë Maher Hajjar dhe Hassan al-Nuri nuk janë shumë të njohur, por megjithatë kanë zhvilluar një fushatë të barabartë me presidentin aktual.

Fushata zgjedhore përfundoi zyrtarisht të hënë, punëtorët nëpër Damask hoqën posterat e kandidatëve.

Kryeministri Wael el-Halqi i cilësoi

zgjedhjet si një ditë historike për Sirinë dhe se ‘pjesëmarrja e madhe do t’i provojë të gjithë botës se populli sirian është i vendosur për të realizuar një proces të suksesshëm’. Ai i bëri thirrje sirianëve të zgjedhin një president, i cili do të rikthejë sigurinë dhe stabilitetin në vend.

Sipas Ministrisë së Brendshme siriane numri total i votuesve është 15 milionë e 800 mijë, brenda dhe jashtë vendit. Ndërkohë që do të votohet në 9 mijë 600 qendra votimi, të vendosura vetëm në zonat e kontrolluara nga qeveria.

Kreu i Koalicionit Kombëtar Sirian, Ahmed Al- Jarba i ka përshkruar zgjedhjet si “teatër i shkruar me gjakun e sirianëve”, Ai ka akuzuar Assad-in se ka planifikuar të bombardojë qendrat e votimin dhe më pas të fajësojë opozitën.
/ Top Channel

Exit mobile version