Site icon PORTALB

Shaqiri: Tekstet e reja shkollore do të jenë gati deri në nëntor

Tekste shkollore

Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, pret që deri në fund të tetorit, fillimi i nëntorit, nxënësit e klasës së parë, të dytë, të katërt dhe të pestë të marrin tekstet shkollore. Për ta viti shkollor nisi me materiale përgatitore për tremujorin e parë, pasi tekstet nuk janë ende gati, transmeton 360 shkallë.

“Sinqerisht, kur themi se nuk kanë marrë abetare, kanë marrë materiale përgatitore lidhur me të. Ekzistojnë dy faza të përcaktimit të procedurave. Një procedurë ka të bëjë me Komisionin, dorëzimin e kurrikulave, thirrjen tek autorët. Arsyetova se gjatë kësaj periudhe doja të mos kisha presion kohor mbi autorët për të prodhuar tekste cilësore për matematikën dhe lëndët e tjera, për abetaren etj. Procedura tjetër ka të bëjë me procesin e ribalancimit të buxhetit dhe në të njëjtën kohë është organizuar një procedurë ku ka pasur afate në të cilat është dashur të përfundojë ajo procedurë”, tha ministri Shaqiri në një intervistë për Radion Evropa e Lirë dhe ka paralajmëruar tekste shkollore deri në nëntor.

LEXO: Telashet me tekste shkollore në Maqedoninë e Veriut

Ministri Shaqiri pajtohet se ekziston rreziku i mësimdhënies me prezencë fizike. Ai thotë se problemi do të zgjidhet në një grup pune dhe po shikohen mundësitë, për të parë nëse kanë mbetur para nga bllok grantet e viteve të kaluara, si dhe mjete të tjera që mund të ripërdoren për ngrohje.

Ndryshe, viti i ri shkollor për nxënësit e klasave të para, të dyta, të katërta dhe ata të klasave të pesta, në Maqedoninë e Veriut ka filluar pa libra. Kjo për shkak se me procesin e reformave në arsim librat për këto klasë pësojnë ndryshime dhe botimi i tyre është në faza të ndryshme të miratimit.

Exit mobile version