“Derisa unë të kem ndikim, Serbia nuk do ta njohë as drejtpërdrejt, as tërthorazi pavarësinë e njëanshme të Kosovës”, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shkruan REL.
“Unë nuk do të heq dorë nga lufta ime legjitime për interesat shtetërore dhe kombëtare, si dhe për respektimin e së drejtës ndërkombëtare”, tha ai.
Vuçiq i bëri komentet në seancën e parë të legjislaturës së re të Kuvendit të Serbisë, ku në rend dite ishte procesi i negociatave midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
Pikë e vetme e rendit të ditës në këtë seancë ishte raporti i Qeverisë serbe për negociatat e mbajtura me Kosovën përgjatë një viti, përkatësisht nga 15 qershori i vitit 2021 deri më 1 shtator të vitit 2022.
Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e BE-së, janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.
Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por zbatimi i tyre në terren ka ngecur.
Procesi duhet të rezultojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Kosova këmbëngul që kjo marrëveshje të përfshijë njohjen e ndërsjellë; Serbia, tash për tash, nuk pranon.
Duke folur para Kuvendit të Serbisë, Vuçiq tha se “histeria e bashkësisë ndërkombëtare për shkak të konfliktit në Evropë”, përkatësisht luftës në Ukrainë, “reflekton edhe në Serbi”.
Kjo e vë Serbinë “në një situatë edhe më të vështirë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, tha Vuçiq.
Me gjithë kundërshtimet e Serbisë, Kosova është shtet i pavarur qysh në vitin 2008.