Gjuhë urrejtjeje dhe dezinformata në Serbi përpara EuroPride Beograd 2022

Ky lajm bazohet në mbulimin origjinal nga Meta.mk, si pjesë e iniciativës rajonale Western Balkans Anti-Dezinformation Hub. Një version i redaktuar është ribotuar këtu nën një marrëveshje për ndarjen e përmbajtjes midis Global Voices dhe Fondacionit Metamorphosis.

Në Serbi, dezinformimi dhe gjuha e urrejtjes ndaj komunitetit LGBTQ+ dhe mbështetësve të të drejtave të njeriut kanë qenë në rritje të dukshme teksa kryeqyteti, Beogradi do të presë EuroPride 2022 gjatë kësaj jave.

EuroPride është një ngjarje pan-evropiane dhe ndërkombëtare LGBTQ+ e organizuar nga një qytet evropian çdo vit. Në vitin 2022 do të zhvillohet në Beograd nga data 12-18 shtator dhe përbëhet nga një sërë ngjarjesh duke përfshirë një festival filmi, konferenca dhe një paradë krenarie.

Partitë politike serbe të ekstremit të djathtë dhe Kisha Ortodokse Serbe e kanë dënuar ngjarjen, duke bërë thirrje për ndalim dhe duke zhvilluar protesta që përfshijnë glorifikimin e presidentit rus Vladimir Putin si një model “mbrojtës i vlerave tradicionale”.

Qeveria serbe ka njoftuar zyrtarisht një “anulim” të ngjarjes, ndërsa organizatorët e EuroPride e përgënjeshtruan, duke pretenduar se do të zhvillohet më 12 shtator.

Personat që kanë qenë mbështetës të aktiviteti janë përballur me abuzime dhe kërcënime në rrjetet sociale. Aktivisti Marko Mihajlović, një nga organizatorët lokalë të EuroPride 2022, ndau pikëpamjet e tij përmes Twitter, duke përmbledhur përvojat e komunitetit më të gjerë.

“Që kur isha adoleshent, nuk kam përjetuar kaq shumë vështirësi për të qenë homoseksual. Kaq shumë urrejtje, kërcënime dhe mohim të së drejtës sime për të jetuar jetën time me dinjitet dhe të drejta të barabarta nuk ka qenë pjesë e diskursit publik për një kohë të gjatë. Nuk më vjen turp për atë që jam, por pas 15 vitesh jam i shqetësuar për jetën time në këtë vend…”

Mihajloviqi gjithashtu përmblodhi narrativat që përfshijnë propagandën homofobike në rrjetet sociale.

“Komentet negative kanë të bëjnë kryesisht me:
1. Mohimi se personat LGBTI+ kanë ndonjë problem [në Serbi].
2. Kërkojnë të fshihemi pas 4 mureve dhe të heshtim.
3. Përdorimi i të drejtave të njeriut të garantuara me Kushtetutë është një provokim.
4. Në Pride do të dalim lakuriq dhe do të bëjmë seks në rrugë.
5. Thirrje për dhunë”.

Një shembull i keqinformimit dhe dezinformimit që pati ndikim të madh në rrjetet sociale është një video virale e një nëne të dyshuar serbe e cila thotë se u kthye në vendin e saj nga Gjermania pasi u gjobit nga autoritetet gjermane për refuzimin e veshjes së djalit të saj me rroba femërash. Përshkrimi i videos përmban edhe gjuhë të urrejtjes.

Dëshmia e motrës sonë Milka që jeton dhe punon në Gjermani. Ajo dëshiron të kthehet në një Serbi më të mirë dhe për këtë arsye na ka shprehur mbështetje teksa ne po bënim një peticion për ndalimin e paradës së (përkthim nga citimi direkt në postim: pederastëve). Shantazhi që ajo duhej të duronte nuk do të ndodhte në Serbi. Meshkujt do të mbeten meshkuj, dhe femrat – femra.

Videoja u prodhua dhe u shpërnda nga një aktivist politik lokal i krahut të djathtë, një anëtar i një fraksioni ekstremist që përpiqet të zëvendësojë Partinë Progresive Serbe (SNS) nacionaliste dhe populiste në pushtet dhe të marrë drejtimin e qeverisë. Në përgjigje, një anëtar i shquar i SNS-së u përpoq t’i paraqiste ata si agjentë rusë që përhapnin ndikim të huaj keqdashës.

Dragan Šormaz, një anëtar i Komitetit Qendror të SNS-së në pushtet, përdori Twitter-in për të paralajmëruar se videoja është dezinformim. Megjithatë, ai gjithashtu e shtoi konfuzionin duke artikuluar pretendime të pambështetura se gruaja që flet nuk është serbe, por ruse dhe punonjëse në Qendrën Humanitare Ruso-Serbe në Nish në jug të vendit dhe se ajo tashmë kishte ikur nga vendi.

Kjo “nënë serbe” nga Gjermania është në fakt ruse dhe punon në qendrën humanitare në Nish! Ajo tashmë është larguar nga Serbia, pasi ka frikë se mund të arrestohet me kërkesë të Gjermanisë për gënjeshtrat që ka thënë në videon që po qarkullon në rrjetet sociale!

Njê investigim nga e përditshmja Danas nuk mundi t’i konfirmonte këto pretendime, por shërbimi kroat i verifikimit të fakteve Faktograf hodhi poshtë pretendimet në video për detyrimin e supozuar të fëmijëve për t’u bërë LGBTQ+ në Gjermani si “absurde, të pamundura dhe të gabuara”.

Në numrin e saj të datës 1 shtator, e përjavshmja Vreme nga Beogradi publikoi rezultatet e hetimit me pretendimet në dukje pro dhe anti-ruse në lidhje me rastin. Ata intervistuan gruan, si dhe burrin që ka bërë videon, duke konfirmuar se ajo është me të vërtetë një serbe që jeton në Gjermani dhe një nënë e vetme e një fëmije me autizëm. “Analiza e fakteve” e gazetarit Nemanja Rujević arriti në përfundimin se detyrimi i supozuar i fëmijëve për t’u bërë transgjinorë nga “Perëndimi i lig” është i pabazë, por gjithashtu e vërtetë është se gruaja në video nuk është agjente ruse.

Gruaja, e identifikuar vetëm si Milka M., shpjegoi se deklarata e saj në video, e dhënë gjatë një vizite në Nish, ishte manipuluar nga një politikan vendas ultranacionalist. Ai duhej të mbronte identitetin e saj, por nuk ia fshehu fytyrën. Siç shpjegoi ajo, autoritetet gjermane nuk e detyruan djalin e saj të vishej, por thjesht e ftuan familjen të merrte pjesë në një ngjarje që promovonte tolerancën e quajtur Role Swap ose Girls and Boys Day. Ajo po ashtu sqaroi se arsyeja për të cilën është gjobitur është për shkelje specifike të kontratës së saj me shkollën që ofron kujdes të veçantë për fëmijën e saj.

Ivica Božić, politikani vendas që regjistroi dhe ndau videon, ishte përfshirë më parë në organizimin e protestave kundër vaksinimit. Në vitin 2021, e përditshmja Blic raportoi se ky i vetëquajtur “mbrojtës i vlerave familjare” ka një precedent penal me dënim për dhunë në familje dhe trafik droge, gjë që u konfirmua nga Vreme.

Në një deklaratë për Vreme, të paraqitur si pjesë e artikullit analitik mbi rastin, Božić hodhi poshtë akuzat e përdoruesve të mediave sociale se ai është agjent i Kremlinit, duke pretenduar se ai është “i përkushtuar ndaj traditës dhe i dhënë pas pelegrinazheve në Jeruzalem” dhe se po bën një jetesë si bojaxhi dhe kameraman dasmash.

Edhe pse gjuha e urrejtjes është një vepër penale sipas Kodit Penal të Serbisë, institucionet e zbatimit të ligjit dhe ato gjyqësore rrallë marrin masa për të sanksionuar autorët. Megjithatë, raportet e institucioneve vendase dhe ndërkombëtare që monitorojnë progresin drejt demokracisë vazhdimisht tregojnë se “duhet bërë më shumë” nga shteti për të adresuar përdorimin e gjuhës së urrejtjes në mënyrë që të përmbushen kriteret për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Deri më tani nuk ka pasur raportime në media për veprime institucionale të ndërmarra kundër autorëve të gjuhës së urrejtjes në lidhje me EuroPride 2022 në Beograd.

Disklejmer i ri, baner, NED

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button