Mali i Zi i paralizuar nga sulmet kibernetike

Një sulm masiv dhe i vazhdueshëm kibernetik në Mal të Zi, për të cilin zyrtarët fajësojnë hakerët pro-rusë dhe Moskën, është cilësuar nga ekspertët si i paprecedentë në intensitetin dhe shtrirjen e tij. Ai ka dëmtuar platformat e qeverisë në internet dhe vuri në rrezikshmëri të lartë infrastrukturën jetike të Malit të Zi. Goditja ishte në vazhdën e një numri incidentesh kibernetike që nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës në shkurt, raporton Kallxo.

Në selinë e qeverisë së Malit të Zi, një vend anëtar i NATO-s, kompjuterët e tavolinës janë të mbyllur, interneti mungon dhe faqet e agjencive shtetërore janë të çaktivizuar.
Ndërprerja vjen në mes të një sulmi masiv kibernetik kundër shtetit të vogël ballkanik, për të cilin zyrtarët thonë se ka shenjat dalluese të hakerëve pro-rusë dhe shërbimeve të sigurisë së Moskës.

Sulmi i koordinuar filloi rreth datës 20 gusht dhe ka dëmtuar platformat e qeverisë në internet, si edhe ka vënë në rrezikshmëri të lartë infrastrukturën jetike, përfshirë sistemin bankar, furnizimin me ujë dhe energjinë elektrike.

Që nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës në shkurt, hakerët kanë vënë në shënjestër disa vende të tjera evropiane, kryesisht anëtarë të NATO-s.

I ulur në tryezën e tij në kryeqytetin Podgoricë, përpara një ekrani kompjuteri të fikur, Ministri i Mbrojtjes Rasko Konjeviç thotë se zyrtarët e qeverisë janë këshilluar të shkëputen nga linja për arsye sigurie.

“Kemi rreth 20 ditë që përballemi me sfida serioze për shkak të sulmit kibernetik dhe i gjithë sistemi shtetëror, sistemi i administratës shtetërore dhe sistemi i shërbimeve ndaj qytetarëve po funksionojnë në një nivel mjaft të kufizuar“, thotë ai.

Ekspertët, duke përfshirë një ekip hetuesish të Byrosë Federale të Hetimeve të SHBA, po përpiqen të gjejnë përgjegjësit për sulmin “brutal”, shton ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button