Site icon PORTALB

Emiratet e Bashkuara Arabe i japin Serbisë një miliard dollarë hua me interes të ulët

Flamuri i Serbisë

Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshje për t’i dhënë Beogradit 1 miliard dollarë hua në kushte shumë të favorshme, tha të dielën presidenti serb Aleksandar Vuçiq, shkruan Euractiv, transmeton Portalb.mk.

Serbia do të marrë 1 miliard dollarë me vetëm 3% interes si pjesë e marrëveshjes “nën kushte të pabesueshme” dhe se kredia “është praktikisht dhuratë”, tha Vuçiq për mediat serbe gjatë vizitës së tij dy-ditore në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Kreditë tona të vjetra, të cilat duhet t’i paguajmë, kanë afat deri në janar. Tani po sigurojmë likuiditet të plotë së bashku me aftësinë paguese që kemi”, tha Vuçiq.

Presidenti tha gjithashtu se ai pret që Serbia të nënshkruajë një marrëveshje mbështetjeje me Fondin Monetar Ndërkombëtar, duke siguruar mbështetje shtesë.

Zyrtarët serbë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkruan nëntë marrëveshje në Abu Dhabi të dielën, duke përfshirë një për partneritetin gjithëpërfshirës, ​​tha Ministri i Jashtëm serb Nikola Selakoviç, anëtar i delegacionit të kryesuar nga Vuçiq.

Qeveria serbe në faqen e saj të internetit njoftoi se ministri tha se kjo do të përmirësonte marrëdhëniet midis dy vendeve.

“Marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Emiratetve të Bashkuara Arabe u thelluan me kalimin e kohës, sikurse ndërtohet besimi, i cili i sjell shumë përfitime Serbisë”, tha Selakoviq.

Vuçiq dhe delegacioni serb mbërritën në Abu Dhabi të shtunën për vizitë dyditore me ftesë të presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed Bin Zayed.

Pasi mbërriti, Vuçiq shkroi në Instagram se mezi po priste një “bisedë me mikun e tij të dashur” Bin Zayed dhe mundësinë për të shkëmbyer mendime për “çështjet më të rëndësishme dhe planet e mëdha” që kanë liderët.

Exit mobile version