Site icon PORTALB

Driant Zeneli: I ftoj të rinjtë që të mos kenë frikë nga dështimi (VIDEO)

Driant Zeneli, foto nga ekspozita në Çifte Hamam

Driant Zeneli, foto nga ekspozita në Çifte Hamam

Pothuajse 20 vite artisti Driant Zeneli, hulumton në fushën e artit vizual. Arti te Drianti lindi si një kuriozitet, duke imituar babain e tij deri sa ai pikturonte dhe më pas duke vazhduar me shkollim artistik në Itali. Sot për Portalb.mk, flet Drianti rreth karrierës së tij artistike.

I rrethuar me prind artdashës, babain piktor, mamanë muzikante, dëshira për të qenë një artist nisi shumë natyrshëm te Drianti. Karriera e tij artistike filloi pas akademisë së arteve në Itali, në momentin kur ai filloi t’i ekspozojë punimet e tij nëpër muze dhe galeri dhe duke marrë lëvdata dhe çmime të ndryshme.

Driant Zeneli lindi në Shkodër, ku aty kreu shkollën e ulët dhe të mesme. Më pas, vendosi të largohej nga vendlindja për të ndjekur studimet në Itali, ku atje qëndroi për 20 vite. Drianti është fitues i disa çmimeve ndërkombëtare si dhe prezantoi Shqipërinë në edicionin e 54-t të Bienales së Venecias.

“Kjo është një rrugëtim i gjatë, nuk mund të them që një ekspozitë mund të jetë më e rëndësishmja, secila plotëson rrugëtimin e gjatë. Sigurisht që sfida që kisha në Bienalet e Venedikut, kur përfaqësova Shqipërinë, përgjegjësia është më e madhe dhe sjell një përfitim të madh në ndërtimin e karrierës.” u shpreh Driant Zeneli.

Nëpër veprat e Driantit mund të shihet historia, raporti i njeriut me tokën, raporti i njeriut me njeriun dhe me kafshët. Ata të cilët duan të njihen drejtëpërdrejtë me veprat e Driantit, kanë mundësinë t’i shohin punimet e tij në Çifte Hamam e cila do të jet e hapur deri më 4 shtator.

“Trilogji: Nën një sipërfaqe ka një tjetër sipërfaqe” është ekspozita e artistit të njohur ndëkombëtarisht i cili për herë të parë vjen në vendin tonë. Kuratorja kryesore e projektit është Ana Frangovska. Në hapsirat e Çifte Hamamit gjeni “gërmimet” e jashtëzakonshme nën sipërfaqen e së kaluarës, të tashmes dhe së ardhmes sonë kolektive.

Mesazhi që Driant Zeneli përcolli për të gjithë artistët e rinj është:

“Unë besoj shumë në ëndrra dhe ëndrrat sigurisht kur kthehen në nevojë njeriu bën gjithçka për ta realizuar. I ftoj të rinjtë që të mos kenë frik nga dështimi, mos të kenë frik nga rrëzimi edhe most të ndalojnë edhe nëse dikush i paragjykon. Duhet të besosh në art, ashtu siç besimtarët besojnë që një ditë do të shkojnë në parajsë.” tha Zeneli.

Zeneli është duke e jetuar ëndrrën e çdo artisti dhe ai do të vazhdojë të jetë dinamik me shumë ekspozita brenda dhe jashtë vendit.

Exit mobile version