Site icon PORTALB

Çfarë kanë mediat e huaja me Erdoganin?

Zekirja Mexhiti

Zekirja Mexhiti

Nga mënyra se si është ndërtuar Turqia e sotme, të cilës si duket ia ka lakminë e gjithë bota, me siguri do të donin shumë lider të kopjojnë modelin e këtij shteti. Megjithatë, të parashtrojmë pyetjen, pse lideri këtij vendi po sulmohet me të madhe nga mediat e huaja dhe për çdo ditë tentohet të njolloset emri i tij?

A thua vallë çka kanë ata që merren kaq shumë me liderin, i cili dukshëm i kalon përmasat e të zakonshmes dhe nuk mund të krahasohet me ndonjë lider ne këto dekadat e fundit.

Pamë se si mediat botërore tentuan që përmes tragjedisë së Soma-s ta kritikojnë kryeministrin turk, madje disa prej tyre veprimet e tij i quajtën jashtë çdo logjike. Unë nuk e kuptoj aspak, në gjithë atë rrëmujë e tragjedi që e kaploi shtetin e tij, se çfarë veprime paska bërë Erdogani për tu quajtur jashtë çdo logjike? Me gjasë ky ishte vetëm thjesht një sulm i radhës drejt tij.

Protestat kundër tij çdo ditë e më shumë po shtohen. Protesta në të cilat kanë gisht edhe mediat e huaja të cilët edhe vitin e kaluar u akuzuan si nxitës të tyre. Por edhe përkundër kësaj dhe sulmeve të këtilla kryeministri i këtij vendi mbetet i pamposhtur. Shumë ekspertë janë të bindur se ai do të zgjidhet edhe president i Turqisë nëse vendos që të garojë.

Sipas meje mediat e huaja kanë filluar të luajnë rolin e komentuesit. Ato kanë filluar të botojnë komente dhe jo lajme që pasqyrojnë realitetin në Turqi. Por ata dështojnë si që dështuan edhe vitin e kaluar me protestat në Gezi parkun.

Nëse e analizojmë mirë, do të shohim se mënyra si funksionon ky vend është vërtet për ta pasur lakmi. Turqia e sotme është një shtet i organizuar në të gjitha sferat. Jo-rastësisht zhvillimi ekonomik i Turqisë, ka bërë që anëtarësimi në BE të mos hyjë tek prioritetet e popullit. Në një studim të fundit rreth mbështetjes popullore në Turqi për anëtarësimin në BE, u zbulua se ambiciet e turqve në këtë drejtim kanë filluar të ftohen vit pas viti, sidomos pas zhvillimit ekonomik të vendit, me në krye partinë për Drejtësi dhe Zhvillim. Jo se turqit nuk duan integrimin, por thjeshtë se jetojnë mirë.

Mbi të gjitha, përgjigjen më të saktë për atë se sa populli e do Erdoganin edhe përkundër gjithë vrerit të mediave të huaja e dhanë zgjedhjet lokale që u mbajtën para disa muajve.

Partia e tij doli fitimtare absolute. Besoj që suksesi i njëjtë do të përsëritet edhe në zgjedhjet e ardhshme.

Exit mobile version