Site icon PORTALB

“Kur bohet mirë”, aksion simbolik në Kosovë për Ditën Ndërkombëtare të Rinisë

Foto: AA

Foto: AA

Me pyetjen “Kur bëhet mirë?” dhe disa valixhe të mbuluara me uniforma të profesioneve të ndryshme është shënuar në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë Dita Ndërkombëtare e Rinisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ky aksion rrugor i organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR), ka për qëllim të përçojë shqetësimin e ikjes së të rinjve nga Kosova, me theks të veçantë profesionistëve.

Menaxherja e Programeve në organizatën Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), Rina Kadiri tha se të rinjtë po largohen nga Kosova duke emigruar në vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian (BE), për shkak të kushteve jo të mira të krijuara për ta.

“Këtë vit në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë jemi fokusuar në dukurinë e migrimit duke pasur parasysh që shumë të rinj po e lënë Kosovën, për arsye të ndryshme, kryesisht pse shteti i Kosovës nuk po u ofron mundësitë që duhet për të rinjtë dhe mbi të gjitha të drejtat e njeriut nuk respektohen”, theksoi Kadiri.

Në secilën valixhe është vendosur edhe një kod i cili mund të hapet përmes telefonit dhe më pas do të shfaqet historia konkrete e dikujt që ka vendosur të migrojë nga Kosova.

Nga Kosova, për shkak të pagave të ulëta në sektorin privat dhe papunësisë, mijëra të rinj emigrojnë drejt vendeve të BE-së.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2021, shkalla e papunësisë në Kosovë ka qenë afro 26 për qind, ku krahasuar me vitin paraprak, ka pasur rritje për 0.8 për qind.

Shkalla e papunësisë te të rinjtë është 48.6 për qind.

Exit mobile version